‘Fluturojnë’ çmimet

Kosovarët janë të liruar nga TVSH-ja për produktet bazë, si buka qumështi e vaji, megjithatë kjo nuk po reflekton edhe tek çmimi i tyre në treg. Ato janë vazhdimisht në rritje ndërsa pikun e kanë arritur në fillim të këtij viti.

Lajme

18/02/2017 12:56

Raporti i fundit i Agjencisë se Statistikave të Kosovës tregon se indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0,8 për qind në muajin janar 2017 krahasuar me muajin dhjetor 2016.

“Shkalla e inflacionit e matur në muajin janar 2017 me muajin janar 2016 ishte 1,7%”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Cmimeve të Konsumit Janar – 2017”.

Sipas këtij raporti, gjatë kësaj përiudhe ngritje të çmimeve kanë pësuar kryesisht produktet si qumështi, djathi, vezët e rryma.

“Ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumështi, djathi dhe vezët (1,5%), pemët (3,1%), perimet (14,1%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (2,1%)-(ngritje e çmimit të druve dhe peletit për ngrohje), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (1,7%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.8 për qind në IHÇK-it”, thuhet në raport.

Rritje e frikshme e çmimeve krahasuar me vitin e kaluar

Ndërkohë nëse e krahasojm më vitin e kaluar rritja e çmimeve del të jetë shqetësuese.

Sipas ASK-së, indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,7 për qind në muajin janar 2017 krahasuar me muajin janar 2016.

Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

“Ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: mishi (0,9%), qumështi, djathi dhe vezët (6,7%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (8,2%), kafja, çaji dhe kakao (5,1%), duhani (4,8%), veshje (3,0%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (3,4%)-(ngritje e çmimit të druve dhe peletit për ngrohje), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (10,3%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës), shërbimet për transport (4,9%)-(ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,0 për qind në IHÇK-it”.

Ndërkohë, kjo ngritje u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet si buka dhe drithërat (-1,3%), perimet (-2,1%), pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-1,2%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,3 për qind në indeksin e tërësishëm. /Gazeta Fjala