“Fluturojnë” akuzat ndërmjet Petrit Selimit dhe Jeta Xharrës

Një betejë e vërtetë rreth termocentralit të ri, paneleve diellore, lirisë së mediave dhe donatorëve nga Kalifornia është zhvilluar në mes të kryeredaktores së ‘Jeta në Kosovë’, Jeta Xharra, dhe zëvendësministrit të Jashtëm, Petrit Selimi.

Lajme

11/01/2015 13:18

Çdo gjë ka filluar me raportimin e lajmit se si kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka akuzuar BE-në se po sponsorizon kryengritje në Serbi nëpërmjet degës së gazetarëve të BIRN në Serbi. Kjo ka zgjuar reagim të ashpër të BE-së në Bruksel, që ka porositur Vuçiqin të respektojë gazetarinë hulumtuese dhe pavarësinë e medieve.

Vuçiq ka shkuar edhe më tej duke vazhduar akuzat e rënda ndaj BE-së se nuk është kukull europiane.

Lajmi mbi këtë shkëmbim të ashpër në mes Vuçiq dhe BE u publikua në Twitter ndërsa Jeta Xharra komentoi se edhe në Kosovë qeveria po bën presion të ngjashëm mbi organizatën e Jetës. Kjo ka shkaktuar reagimin e Petrit Selimit, i cili e ka pyetur Xharrën se kur paskan bërë liderët institucionalë presion mbi BIRN, raporton Indeksonline.

Xharra përgjigjet se si në një konferencë më 2013, ministri Besim Beqaj paska thënë se organizata e Jetës është kundër ndërtimit të termocentralit Kosova e Re dhe kështu po punojnë për rusët në këtë mënyrë.

Pohimi i drejtoreshës së BIRN-Kosova shkakton një seri shkëmbimesh ndërmjet Seimit dhe Xharrës. Ky i pari e mohon akuzën se ka pasur presion dhe akuzon një organizatë tjetër të Jeta Xharrës (KOSID) se po punon kundër termocentralit pasi që janë të paguar nga ambientalistët e pasur të Kalifornisë kundër qymyrit, ndërsa Xharra i përgjigjet se Banka Botërore dhe USAID po ashtu po paguajnë para për ta mbrojtur termocentralin edhepse Kosova mund të furnizohet me rrymë nga panelet diellore.

Selimi kundërshton që Kosova mund të furnizohet vetëm me rrymë solare, duke e quajtur planin e Xharrës dhe organizatës së saj Imaginational (“Vend i fantazisë”) dhe duke i thënë Xharrës se qeveria, opozita si dhe OJQ-të, si Riinvest po ashtu dëshirojnë termocentral, raporton Indeksonline.

Kjo shkakton akuza të reja nga Xharra, e cila akuzon Qeverinë e Kosovës për falje të KEDS dhe shitje të aeroportit.

Selimi mohon, duke i thënë Xharrës se “duhet ditur faktet” se aeroporti nuk është shitur por është dhënë me koncesion, ndërsa edhe KEDS nuk është falur por është shitur një kompani që ka krijuar shumë humbje. Në fund Xharra përmend edhe Jabllanoviqin, duke thënë se duhet t’i vjen turp Qeverisë së Kosovës për deklaratat e ministrave, ndërsa Selimi i kthehet Jetës se po përdor “nacionalizëm të lirë pasi që ka humbur argumentin” dhe se as Jeta nuk qenka imune ndaj kësaj sëmundje.