Flet kryetari i Ferizajt: 65 vjeçari që vdiq nga koronavirusi kishte kontakte edhe me ushtarë në “Bondsteel”

Gjatë së martës një 65-vjeçar nga Ferizaj ka ndërruar jetë në Klinikën Emergjente të QKUK-së, dhe pas analizave ka rezultuar se i ndjeri kishte qenë i prekur me COVID-19.

Lajme

08/04/2020 19:03

Një 65-vjeçar nga Ferizaj i cili kishte probleme me zemër dhe mushkëri, ka ndërruar jetë të martën në Emergjencën e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Pasi që i janë marrë strishot për analiza, rezultati ka treguar se i ndjeri kishte qenë i prekur me COVID-19, kështu duke e regjistruar edhe viktimën e parë të koronavirusit në Ferizaj.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në një intervistë për lajmi.net, ka treguar se i ndjeri kishte punuar si vozitës në Kampin “Bondsteel” dhe se deri më tani janë identifikuar 30 persona që ai ka pasur kontakte, përfshirë edhe familjarët mirëpo, nuk dihet për kontaktet që ka pasur  brenda kampit e që po ashtu nuk dihet se sa ushtarë amerikanë mund të jenë të prekur me COVID-19.

“I ndjeri ka punuar si vozitës në kampin “Bondsteel”, madje ka punuar deri ditën e shtunë edhe tri ditë ai do të mbushte 65 vite, por ja që ka ndodhur rasti dhe nuk ka mundur ta pres ditëlindjen. Por përndryshe ka punuar në Kampin “Bondsteel” dhe sigurisht që aty ka pasur kontakte e komunikime të ndryshme edhe me ushtarë sepse sigurisht që ka pasur komunikim me ta. Ne jemi në komunikim si institucione edhe me Kampin “Bondsteel”, që të marrim pjesën e të kontaktuarve nga personi në fjalë, tashmë i ndjerë edhe nga ana e pjesës së personelit të banorëve, respektivisht qytetarëve, pjesës civile deri tash janë siguruar shtatë persona të cilët kanë qenë në komunikim të drejtpërdrejt”, tha Aliu.

“Por si tërësi e njerëzve që kanë komunikuar me të ndjerin deri më tash kemi identifikuar afërsisht 30 persona, duke përfshirë edhe familjarët e tij. Bashkë me shtabin emergjent jemi duke e bërë listën e të gjitha personave që ka komunikuar i ndjeri, por deri më tani kemi siguruar këtë numër. Deri te numri 30 kemi listën e kontakteve edhe tashmë jemi në kontakt të vazhdueshëm me personat në fjalë dhe kemi kërkuar që ata të vetizolohen deri në masën tjetër që do rezultojë sigurisht edhe pas analizave që duhet të bëhen nga IKSHPK-ja dhe ne po presim që IKSHPK-ja në bashkëpunim me institucionet lokale t’i kontaktoj ata që të bëhen analizat dhe pastaj të sqarohet gjithçka sa i përket situatës së të kontaktuarve lidhur me atë se a janë apo nuk janë të infektuar me COVID-19”, ka treguar Aliu.

Për më shumë detaje, ju ftojmë ta ndiqni intervistën në videon e mëposhtme. /Lajmi.net/

Video: