Flasin nga VV: Ambasadorët e QUINT-it u ftuan si ndihmues, jo si ndërmjetësues

Nga Vetëvendosje kanë folur përsëri për ftesën që i është bërë ambasadorëve të QUINT-it për pjesëmarrjen në takimin e sotëm me LDK-në.

Lajme

28/01/2020 15:23

Erzen Vraniqi, drejtues i sekretariatit për media në VV përmes një postimi në Facebook ka thënë se dakordimi që në takimin e sotëm të jenë prezent edhe ambasadorët e QUINT-it ishte bërë pas përfundimit të takimit të mbrëmshëm, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm.

Vraniqi ka thënë se ambasadorët nuk u menduan si ndërmjetësues, por vetëm si ndihmues eventual.

Postimi i plotë:

Si drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim dëshiroj të sqaroj opinionin se:

Në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet LVV dhe LDK, kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quintit si dhe Shefja e Misonit të BE-së në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe në komunikimin me tekst që ka pasur kryetari i LVV Kurti me kryetarin e LDK Mustafa mbrëmë në ora 19:30. Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm. Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë.  /Lajmi.net/