Flasin nga LDK: Pas tërheqjes së Sejdiut, ende nuk kemi diskutuar për kandidat tjetër për president

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga gara për president të Kosovës, në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është zhvilluar deri tani ndonjë diskutim apo iniciativë konkrete për një emër të ri. Ajo tha se vëmendja e LDK-së aktualisht është te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për…

Lajme

15/09/2026 12:29

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga gara për president të Kosovës, në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është zhvilluar deri tani ndonjë diskutim apo iniciativë konkrete për një emër të ri.

Ajo tha se vëmendja e LDK-së aktualisht është te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjet që lidhen me konstituimin e institucioneve, duke theksuar se partia e saj mbetet e gatshme të marrë pjesë në dialog për një zgjidhje politike, transmeton lajmi.net.

“Deri në këtë moment nuk ka as biseda, as ndonjë iniciativë të tillë. Tani ju e dini që ka lëndë të dërguara në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi, para së gjithash jemi të interesuar për vendimin që do të marrë Gjykata Kushtetuese për procedurën e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë, prandaj kjo do të na sqarojë njëherë rrugëtimin e këtij konstituimi dhe normalisht si parti politike duhet të kontribuojmë në dialog, por deri në këto momente nuk është se kemi pasur diçka të re”, tha ajo.

Sipas saj, LDK-ja ka synuar që nga fillimi të kontribuojë në tejkalimin e krizës institucionale, pa e vendosur interesin partiak mbi nevojën për funksionalizimin e institucioneve.

“Ju e dini që prej fillimit LDK ka kontribu dhe ka dhënë gjithçka për me pas zgjidhje për institucionet, ose e ka pasur ose s’e ka pasur interesin e saj, domethënë interesi jonë si parti politike s’ka qenë i rëndësishëm në këtë rrugëtim, është tepër e rëndësishme që institucionet të bëhen, të konstituohen sa më parë edhe këtë e kemi pasur prioritet. Normalisht që do të kontribuojmë për çfarëdo dialogu që i jep Kosovës një zgjidhje institucionale”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu i është referuar edhe raportimeve për deputetin e LDK-së, Anton Çuni, si një emër i mundshëm për postin e presidentit. Ajo ka mohuar se një propozim i tillë është trajtuar në mënyrë zyrtare brenda partisë.

“Propozimin për zotin Çuni e kam dëgjuar vetëm në media. Domethënë nuk ka asnjë gjë zyrtare deri tash, nuk ka pasur asnjë diskutim, e as ndonjë prezantim zyrtar ose qëndrim të LDK-së i cili është diskutuar në strukturat partiake. Domethënë deri në këtë moment jo. Tani është tepër e rëndësishme mos të biem në skenare hipotetike sepse nuk e di, domethënë duhet dialog, duhet diskutim, jemi deputetët, mandej është Kryesia e Partisë, ka forume të ndryshme në të cilat duhet të diskutohet e pastaj e kemi edhe një parti atipike që ka shumicën në Kuvend edhe me të cilët duhet me bisedu edhe me pa mundësinë e gjetjes së një zgjidhje sa më të mirë”, tha ajo.

Sa i përket vendimit të Bekim Sejdiut për të hequr dorë nga kandidatura, deputetja e LDK-së tha se lajmin e kishte mësuar nga Facebook-u, njësoj si pjesa tjetër e publikut. Ajo shtoi se vendimi i tij respektohet nga partia.

“Personalisht e kam parë në Facebook, atëherë kur e ka parë i gjithë publiku, normalisht që në fund të fundit është edhe vendim individual i secilit, përballë një situate politike e cila është pak e komplikuar edhe e bën të pasigurt zgjedhjen e tij, ai ka vendosur të tërhiqet, prandaj ne vetëm e respektojmë si vendim të tillë e marrim si të, të vendosur, të kryer, edhe normalisht që duhet me bo përpjekje sa më shumë që me shku përpara me propozime të reja edhe me zgjidhje të reja. Po kjo nuk varet vetëm nga LDK-ja, varet edhe nga partitë e tjera, varet mas shumti nga Vetëvendosja se ajo e ka numrin më të madh të deputetëve”, tha ajo.

Ndërkohë, Lushaku-Sadriu tha se nuk ka informacion nëse gjatë kontakteve mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë shqyrtuar emra të tjerë për president.

“Jo nuk e di. Nuk e di edhe unë më intereson çdo herë që kur ekipi i autorizuar të shkojë në negociata cila është zgjidhja që ata kanë arritur maksimumin, kam pasur besim të plotë që nuk ka pasur zgjidhje tjera përveç emrit të profesorit Bekim, tani duhet normalisht të bëhet prapë ekip dhe prapë të shkohet në negociata, por nuk jam e sigurt që vetëm LDK-ja duhet të kontribuojë në këtë proces, duhet të kontribuojnë të gjitha partitë meqë jemi duke folur për një president konsensual, atëherë kur flasim për një president me marrëveshje politike, atëherë pastaj i bjen barra atyre partive që e marrin përgjegjësinë me dialogu”, tha ajo./lajmi.net/