S’ka të ndalur Fitore Pacolli-kunati i saj u punësua në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Edhe pak ditë, Valon Dalipi, e kremton 1-vjetorin e nisjes së punës në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Saktësisht më 2 gusht të vitit 2024, Dalipi do të përzgjedhej si kandidati më i suksesshëm në pozitën e përkthyesit në një prej agjencive më të rëndësishme të pavarura në vend. Dalipi, u përzgjodh në pozitën që…

Lajme

30/07/2025 15:38

Edhe pak ditë, Valon Dalipi, e kremton 1-vjetorin e nisjes së punës në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Saktësisht më 2 gusht të vitit 2024, Dalipi do të përzgjedhej si kandidati më i suksesshëm në pozitën e përkthyesit në një prej agjencive më të rëndësishme të pavarura në vend.

Dalipi, u përzgjodh në pozitën që parasheh përkthime të dokumenteve të ndryshme nga shqipja në serbisht.

Megjithatë, Valon Dalipi, nuk është veç një i punësuar i zakonshëm në APK. Ai del të jetë kunati i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli. Saktësisht, vëllai i bashkëshortit të deputetes Pacolli, Ilir Dalipit. Deputetja Pacolli e bashkëshorti i saj, ditëve të fundit ishin temë diskutimi në opinionin publik, lidhur me dyshimet se Dalipi ka përfituar 52 mijë euro si bashkëthemelues në një organizatë joqeveritare.

Bazuar në dokumentet që ka siguruar gazeta Nacionale, konkursi ishte shpallur në qershor të vitit të kaluar, dhe për pozitën e përkthyesit kishin aplikuar 7 kandidatë, e në mesin e tyre edhe kunati i deputetes Pacolli. Nga ta, Dalipi bashkë me dy të tjerë e kishin kaluar verifikimin paraprak.

Në listën me vlerësime më pas, Dalipi doli të jetë me i poentuari, duke siguruar vendin e punës. Në total, ai do të merrte 90.8 pikë nga ky konkurs, dhe më datën 2 gusht 2024, u shpall njoftimi për punësimin e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, dhe këta të fundit, kanë mohuar kategorikisht çdo mundësi që deputetja Pacolli të ketë pasur ndonjë ndikim në këtë punësim.

“Ky proces është i bazuar në kriteret ligjore, të matura dhe të dokumentuara përmes testimit dhe vlerësimit profesional, në përputhje të plotë me parimin e meritokracisë. APK nuk ka pasur nevojë që të jetë në dijeni për lidhje familjare të z. Valon Dalipi me deputeten e as deputetja e përmendur nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë mundësi faktike për të ndikuar në procesin e rekrutimit të zhvilluar nga Agjencia”, thuhet në fillim të përgjigjes nga AKP-ja.

Valon Dalipi, njëjtë si vëllai i tij Iliri që është bashkëshorti i Fitore Pacollit, janë nga Bujanoci. Si rezultat, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e arsyeton vendimin, duke thënë se këto pozita të përkthimit në gjuhën serbe, janë kryesisht shtetas nga Mali i Zi apo Serbia, për shkak se nuk ka kandidatë të certifikuar.

“Pozita për përkthim në gjuhët shqip-serbisht ka një specifikë të veçantë për shkak të natyrës teknike të punës. Bazuar në përvojën e mëparshme, kjo pozitë zakonisht mbulohet nga përkthyes shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi apo Serbia, për shkak të mungesës së kandidatëve të certifikuar brenda Kosovës që përmbushin kërkesat e domosdoshme për përkthim të specializuar juridik dhe institucional. Në përmbyllje, e sigurojmë publikun dhe median se procesi i rekrutimit ka qenë i bazuar në standarde të larta profesionale dhe ligjore. Afërsia familjare e mundshme nuk ka ndikuar në asnjë mënyrë – e as nuk do të mund të ndikojë në asnjë vendimmarrje të APK-së, e cila është institucion i pavarur dhe i angazhuar për integritet të plotë institucional”, thuhet në përgjigjen e APK-së.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e deputetes Fitore Pacolli, por e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

52 mijë

Mediumi “Vox Kosova” raportoi ditë më parë se një organizatës “Defy Them” ku themelues kishte qenë Ilir Dalipi, burri i deputetes Fitore Pacolli, kishte marrë rreth 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Deputetja Fitore Pacolli e kishte mohuar këtë raportim, duke thënë se bashkëshorti i saj tash e disa vjet nuk është pjesë e kësaj organizate.

Megjithatë, deputeti i LDK-së, Paris Guri, kishte evidentuar se tash kjo organizatë është nën udhëheqjen e burrit të motrës së Fitore Pacollit.

“Fitore Pacolli po thotë që burri i saj nuk është më pjesë e ‘Defy Them’ tash e dy vite, dhe se krejt këto janë shpifje. Hajde, po të besojmë, por vetëm na trego kujt ia ka lënë organizatën burri yt,” shkruan Guri.

Ai më pas zbulon se drejtori ekzekutiv aktual i organizatës është Kombëtar Uskana, bashkëshorti i Shqipe Uskanës, e cila është motra e Fitore Pacollit.

“Pra, edhe nëse paratë s’i ka marrë burri yt, i ka marrë burri i motrës tane,” , thoshte Guri.

200 mijë

Afera e 52 mijë eurove, ishte e radhës, para atyre të granteve nga Ministria e Bujqësisë.

Gjithsej 200 mijë euro grante – 100 mijë për vëllain dhe 100 mijë për dajën – iu ndanë familjarëve të deputetes së pushtetit, Fitore Pacolli, nga Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Faton Peci.

Vetëm pak ditë pas njoftimit rreth grantit stratosferik për vëllain e deputetes, sekretari i përgjithshëm i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike, Egzon Pacolli, ka bërë të ditur sot se dy muaj më vonë, Ministria e Bujqësisë i ka dhënë edhe 100 mijë euro grant për dajën e deputetes Pacolli.

Sekretari i Forumit Rinor të LDK-së bëri thirrje për dorëheqje teksa i kujtoi deputetes Pacolli fermerët që nuk kanë arritur të përfitojnë grant nga thirrjet e Ministrisë së Bujqësisë.

“E tash dikush duhet me dhanë dorëheqje. Fitore Pacolli, përveç që ia ka jep 100 mijë vëllait të saj, ka vendos me ia dhënë edhe 100 mijë euro të tjera dajës së saj. Bash dajës së saj, Sylejman Islamit. Dy muaj pasi që e ka shpërblyer vëllain e saj me 100 mijë euro, ka vendos me shpërbly edhe dajën, njëjtë, me 100 mijë euro tjera. Qysh bre Fitore tash edhe dajës a? A e dini sa fermeri e bujku kanë mbetur pa përfituar grant nga thirrjet e Ministrisë së Bujqësisë? A nashta për të fituar grant në këtë ministri duhet me pasë motër ose mbesë Fitore Pacollin”, tha sekretari i Përgjithshëm i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike.

Vëllai i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit, e cila është edhe kryetar i Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës, kishte përfituar grant për ndërtimin e stallës dhe lopë qumështore.

Absurditeti i ndarjes së grantit thellohet nga fakti që kompania Alda Farm Ria me të cilën ka aplikuar vëllai i deputetes Pacolli, ishte hapur në ARBK vetëm disa ditë para se të zgjedhjes përfitues i grantit.

“Familjarët janë veç për dasma, thoshte Lëvizja Vetëvendosje para se me ardhë në pushtet. Ama, deputetja Fitore Pacolli e ka shpërbly vëllaun me grant gati 100 mijë euro, prej ministrisë së bujqësisë”, deklaroi Egzon Pacolli në videon e parë.

Nacionale kontaktoi aso kohe edhe biznesin e vëllait të deputetes Pacolli. Gjatë kontaktit me familjarë të vëllait të deputetes pati akuza të rënda ndaj mediave. Reagim për grantin e parë pati edhe nga vetë deputetja Fitore Pacolli e cila paralajmëroi padi ndaj të gjithë gazetarëve të cilët kanë raportuar rreth kësaj çështje.

Ndërkohë, Kooperativa Bujqësore “Krusha”, të cilës iu refuzua aplikimi për grant bujqësor nga Agjencioni për Zhvillim të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë, reagoi ditë më parë duke e quajtur “shqetësuese dhe zhgënjyese” vendim e Faton Pecit.

KB Krusha njoftoi përmes një shkrimi në Facebook krejt shkallët e refuzimit nga Ministria e Bujqësisë, duke shtuar edhe se nuk kanë përfituar ndihmë nga ministria që nga viti 2015.