Fitore e demokracisë! – Katër policët rikthehen në detyrë pas suspendimit për “shaka” rreth emërimit të Dimal Bashës
Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përfshirë rreshterin Sami Hoti, janë rikthyer sot në detyrë pas disa ditësh suspendimi, që erdhi pas raportimeve se kishin bërë shaka lidhur me emërimin e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar avokatja e rreshterit Hoti, Arbenita Aliu, e cila tha se rikthimi në…

Lajme
Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përfshirë rreshterin Sami Hoti, janë rikthyer sot në detyrë pas disa ditësh suspendimi, që erdhi pas raportimeve se kishin bërë shaka lidhur me emërimin e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar avokatja e rreshterit Hoti, Arbenita Aliu, e cila tha se rikthimi në punë është bërë pasi Policia e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje disiplinore nga ana e të katër zyrtarëve policorë, transmeton lajmi.net.
“Rreshteri Sami Hoti së bashku me tre policët e tjerë, para pak minutash u kthyen në detyrat policore. Policia e Kosovës ka vlerësuar se në rastin e tyre nuk ka pasur shkelje disiplinore dhe ka vendosur që t’i kthejë në vendet e punës”, thuhet në deklaratën e avokates.
Aliu e ka cilësuar vendimin si një hap të drejtë dhe të matur nga ana e Policisë së Kosovës, duke theksuar se rasti është trajtuar me profesionalizëm dhe integritet institucional. Ajo shtoi se klienti i saj, rreshteri Hoti, ka dëshmuar përkushtim dhe integritet gjatë gjithë karrierës së tij, si në kohë lufte ashtu edhe në periudhën pas saj, nën uniformën policore.
“Edhe gjatë kësaj periudhe të suspendimit, ai ka treguar qetësi dhe karakter të fortë, duke ruajtur dinjitetin personal dhe profesional”, shtoi avokatja.
Rikthimi i katër policëve në detyrë shihet si një mesazh se institucionet janë të gatshme të reflektojnë dhe të korrigjojnë vendimet kur vlerësojnë se nuk ka pasur shkelje, duke ruajtur standardet e drejtësisë dhe përgjegjësisë brenda Policisë së Kosovës./lajmi.net/