Fillon vendosja e posterëve për protesta kundër vizitës së Thaçit

Në rrugët e kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë, ka nisur vendosja e posterëve për  njoftim të protestave kundër vizitës së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit. 

Lajme

15/01/2015 14:20

Në posterët e vendosur nga Lidhja e shoqatave të serbëve të zhvendosur në Mal të Zi, shihet foto e ministrit Thaçi me mbishkrimin “Kërkohet Hashim-Gjarpër-Thaçi”, duke aluduar në nofkën që ai mbarte gjatë luftës, transmeton lajmi.net.

Përveç fotos së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, në poster është paraqitur edhe banderola me hartën e trojeve etnike shqiptare të njohur si “Autochthonous” e njohur nga ndeshja e futbollit e zhvilluar muaj më parë në mes të kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë.

Kjo shoqatë, përmes këtij posteri informues, ka kërkuar nga qytetarët pjesëmarrje sa më masive në tubimin e së premtes.

Ndërkohë, vizita e Thaçit në Podgoricë është duke u përcjellë nga një numër i madh i forcave policore. Deri më tani ka pasur edhe informata për mundësi të eskalimit të situatës së sigurisë deri të organizimi i ndonjë atentati të mundshëm ndaj ministrit Thaçi.(lajmi.net)