“Jam i penduar, kërkoj falje”-zyrtari policor që aksidentoi për vdekje 26 vjeçaren në Pejë del para gjykatës
Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet seanca fillestare ndaj zyrtarit policor Argjend Kastratit. Kastrati, derisa po e drejtonte automjetin e tij në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në Qyshk e goditi me veturë 22-vjeçaren Zana Gjevukaj, të cilës i shkaktoi lëndime të rënda trupore. Si pasojë e plagëve të rënda, Gjevukaj vdiq në spital më 4…

Lajme
Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet seanca fillestare ndaj zyrtarit policor Argjend Kastratit.
Kastrati, derisa po e drejtonte automjetin e tij në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në Qyshk e goditi me veturë 22-vjeçaren Zana Gjevukaj, të cilës i shkaktoi lëndime të rënda trupore.
Si pasojë e plagëve të rënda, Gjevukaj vdiq në spital më 4 maj, rreth një muaj pas aksidentit.
Ai në seancë ka thënë se ndihet fajtor për aksidentin dhe se kërkon falje për atë që ka ndodhur atë ditë.
Lajmi.net ditë më parë ka publikuar pamje nga momenti kur ka ndodhur rasti.
Rasti ka ndodhur me 1 prill të këtij viti, e gati tre muaj pas kësaj ngjarjeje, familja e së ndjerës para disa ditësh ka dalë me një reagim, duke shprehur zhgënjimin e tyre me organet e drejtësisë.
Kjo për faktin se masa ndaj të dyshuarit, zyrtarit policor Kastrati, nuk ka ndryshuar në atë të paraburgimit.
“Zana ndërroi jetë më 4 maj 2025, pasi u godit në vijat e bardha nga një zyrtar policor. Ajo vdiq pas 34 ditësh në qendrën intensive në Prishtinë. I dyshuari ndodhet në arrest shtëpiak që nga dita e aksidentit, tashmë 3 muaj. Edhe pse kanë kaluar 2 muaj nga vdekja e Zanës, masa nuk është ndryshuar në paraburgim”.
“Ne kemi pritur me durim dhe në heshtje që organet e drejtësisë të veprojnë me përgjegjësi dhe ndershmëri. Por kjo nuk ka ndodhur. Si familje e viktimës, jemi thellësisht të zhgënjyer nga kjo qasje. Arresti shtëpiak për një rast me pasojë vdekje është i papranueshëm”, thuhet në reagimin që familja e ka dërguar në Klan Kosova.
Familja në reagim shpreh shqetësimin edhe për aktakuzën e ngritur ndaj Kastratit, e cila thotë se “nuk pasqyron seriozitetin e rastit dhe nuk përfshin asnjë nga rrethanat rënduese”.
“Zana u godit në vijat e bardha, nga një zyrtar policor me shpejtësi të tejkaluar dhe pa asnjë frenim, siç vërteton ekspertiza. Një veturë tjetër kishte ndalur për t’i dhënë përparësi, që tregon se Zana ishte e dukshme dhe me përparësi të plotë. Mospërfshirja e këtyre fakteve në aktakuzë e bën trajtimin institucional edhe më shqetësues”, ka thënë më tej familja në reagim.
Familja shprehet e bindur se “nëse ky rast nuk do të përfshinte një zyrtar të policisë, drejtësia do të kishte vepruar ndryshe”.
Familja e Zana Gjevukajt ka shfaqur shpresën që ky rast të shërbejë si një vetëdijesim publik dhe institucional që rastet e drejtimit të rrezikshëm të automjeteve, veçanërisht ato me pasoja fatale, të trajtohen me seriozitetin maksimal dhe me përgjegjësinë e duhur ligjore.
“Asnjë uniformë nuk duhet të mbrojë askënd nga drejtësia”, tha në fund të reagimit, familja Gjevukaj.