Fillon rrënimi i shtëpisë që rrezikonte të shembej te rruga “A”, Policia në vendngjarje

Ka filluar sot rrënimi i shtëpisë te rruga “A”, që rrezikonte të shembej. Rrënimi i kësaj shtëpie ishte planifikuar të kryhej të martën, por kjo nuk u arrit pasi pronari i kësaj shtëpie Faruk Maxhuni nuk u largua nga shtëpia e tij. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë kundërshtuar rrëzimin e shtëpisë pasi që kanë…

Lajme

23/07/2026 10:14

Ka filluar sot rrënimi i shtëpisë te rruga “A”, që rrezikonte të shembej.

Rrënimi i kësaj shtëpie ishte planifikuar të kryhej të martën, por kjo nuk u arrit pasi pronari i kësaj shtëpie Faruk Maxhuni nuk u largua nga shtëpia e tij.

Ai dhe bashkëshortja e tij kanë kundërshtuar rrëzimin e shtëpisë pasi që kanë thënë se i kishin njoftuar Policinë dhe Inspektoratin e Komunës së Prishtinës se ndërtimi i ndërtesave të reja në këtë lagje, e rrezikonte shembjen e kësaj shtëpie.

Maxhuni dje është thirrur për intervistim nga Stacioni i Policisë në Jug, si palë e dëmtuar.

Gjatë intervistimit, atij i është përkeqësuar gjendja dhe është dashur që të lajmërohet Emergjenca.

Bashkëshortja e tij, Shqipe Maxhuni për lajmi.net ka thënë se pas intervenimit mjekësor gjendja e burrit të saj tash është stabile dhe se ai gjendet në banesë.

Lëvizjet e dheut në maj të këtij viti shkaktuan dëmtime të konsiderueshme në pronë, duke e bërë objektin të pasigurt për banim, sipas autoriteteve komunale.

Në lidhje me këtë shtëpi, dje ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,

Ai ka thënë se kjo shtëpi është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.

“Evakuimi i familjeve që banonin në këto objekte është bërë para 2 vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut të rrëshqitjes së dheut. Edhe pse këto objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguaj shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara. Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, ka shtuar dje Rama. /Lajmi.net/ 

Fotografi nga rrënimi: