Fillimisht seanca për Kuvend – Kabineti qeveritar pritet të votohet sonte, Kurti udhëton nesër për në Konferencën e Mynihut
Në orën 17:00, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës së X, do të mblidhen për herë të parë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ. Për më pak se gjysmë ore pritet që të nis seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Aty pritet që përpos emrat e nënkryetarëve të propozohet edhe…
Lajme
Në orën 17:00, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës së X, do të mblidhen për herë të parë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ.
Për më pak se gjysmë ore pritet që të nis seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Aty pritet që përpos emrat e nënkryetarëve të propozohet edhe emri i Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Tanimë në Parlament kanë filluar të mblidhen deputetët e partive politike.
Por lajmi.net mëson se sonte përpos votimit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, zgjedhjes së nënkryetarëve dhe Kryeparlamentarit sonte pritet të votohet edhe kabineti qeveritar.
Kjo pasi si shkak i urgjencës së krijimit të institucioneve dhe vonesave që veçse janë krijuar shtohet fakti se Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve do të udhëtojë jashtë vendit dhe do të mungojë për disa ditë.
Kurti pritet që nesër të udhëtojë për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Mynihut që mbahet për disa ditë radhazi saktësisht nga data 13 shkurt deri më 15 shkurt.
E mundësinë që sonte të votohet edhe kabineti qeveritar e përmendi dje edhe Glauk Konjufca si dhe sot, deputetja e zgjedhur tanimë, Mimoza-Kusari Lila.
“Sot kemi ardhur për të konstituuar organet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një ditë e cila është konsideruar se tashmë është e vonuar për faktin se shkoi shumë gjatë edhe procesi i rinumërimit. Kemi ardhur në ditët dhe javët e fundit kur shumë procese në Republikën tonë mund të rrezikohen, përfshirë miratimin e buxhetit, miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat disa prej tyre në fakt kanë afat deri në fund të kësaj jave. Është shumë e rëndësishme që sot të votohet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për kryetarin e Kuvendit, nënkryetarët e Kuvendit, dhe pastaj të votohet qeveria që mund të procedojë me punë sa më parë. Ka gjasë që sonte të jenë dy seanca. Gjegjësisht sot të jenë dy seanca: njëra që fillon në orën 17:00, që ka të bëjë me organet e Kuvendit, dhe tjetra e cila fillon pastaj varësisht nga sa do të zgjasë kjo e para, që nuk besoj shumë. Është për t’u përshëndetur qasja bashkëpunuese e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e djeshme të ftuar nga kryetari i deritashëm i Kuvendit, zotëri Basha, ku ka pasur dakordim prej kërkesës për ndërrim të orarit të seancës e deri te procesi i votimit. Prandaj, jam optimiste që në seancën e parë nuk do të ketë vonesa, nuk do të ketë çështje të cilat mund të jenë befasi ose të papritura, të paplanifikuara, dhe pastaj të procedohet siç dihet me mandatarin dhe seancën tjetër”, tha ajo./Lajmi.net/