​FIFA vlerëson Kosovën për zhvillimin e talenteve, Wenger i shkruan FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, Arsene Wenger. Në letrën drejtuar presidentit të FFK-së, Wenger ka vlerësuar lart angazhimin, përkushtimin dhe bashkëpunimin e federatës kosovare në procesin e themelimit të “FIFA Talent Academy Kosova”. Wenger ka theksuar se përkushtimi…

Sport

03/09/2026 12:18

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, Arsene Wenger.

Në letrën drejtuar presidentit të FFK-së, Wenger ka vlerësuar lart angazhimin, përkushtimin dhe bashkëpunimin e federatës kosovare në procesin e themelimit të “FIFA Talent Academy Kosova”.

Wenger ka theksuar se përkushtimi i FFK-së ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme, ndërsa eventin e mbajtur në Prishtinë e ka cilësuar si një dëshmi të profesionalizmit, organizimit dhe pasionit për zhvillimin e futbollit.

“Përkushtimi juaj i palëkundur ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme. Eventi historik i mbajtur në Prishtinë është dëshmi e profesionalizmit tuaj, përsosmërisë organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit”, thuhet në letrën e Wengerit.

Ai ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen dhe burimet e ofruara nga FFK-ja gjatë gjithë procesit, nga përshtatja me standardet e FIFA-s deri te prezantimi i vizionit për akademinë.

Sipas Wengerit, kjo nismë e vendos Kosovën në një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të futbollit, duke e përmendur atë edhe si një standard për vendet e tjera.

Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA ka shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me FFK-në, me synimin që së bashku të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme për futbollin në Kosovë dhe më gjerë.