​FIFA nis hetime pas pretendimeve për abuzim racist ndaj IShowSpeed

FIFA ka bërë të ditur se ka hapur një hetim pas pretendimeve për abuzim racist ndaj influencuesit amerikan të mediave sociale, IShowSpeed, gjatë ndeshjes që Argjentina e fitoi 3-2 ndaj Kepit të Gjelbër të premten në kuadër të Kupës së Botës. IShowSpeed, emri i vërtetë i të cilit është Darren Jason Watkins Jr., 21 vjeç,…

Sport

08/07/2026 13:27

FIFA ka bërë të ditur se ka hapur një hetim pas pretendimeve për abuzim racist ndaj influencuesit amerikan të mediave sociale, IShowSpeed, gjatë ndeshjes që Argjentina e fitoi 3-2 ndaj Kepit të Gjelbër të premten në kuadër të Kupës së Botës.

IShowSpeed, emri i vërtetë i të cilit është Darren Jason Watkins Jr., 21 vjeç, numëron rreth 57 milionë abonentë në YouTube dhe 53 milionë ndjekës në TikTok. Ai ka transmetuar drejtpërdrejt disa ndeshje të turneut, ndërsa në disa prej transmetimeve të tij janë shfaqur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Milanit, Zlatan Ibrahimoviq.

Sipas FIFA-s, institucioni është njoftuar për incidentin që dyshohet se ka ndodhur më 3 korrik në stadiumin “Hard Rock” në Miami, ku u zhvillua ndeshja e fazës së 1/16-ës së finales, dhe ka nisur menjëherë hetimet.

Në pamjet e publikuara në kanalin e tij në YouTube, IShowSpeed shihet i veshur me fanellën e Kepit të Gjelbër, teksa përfshihet në një përballje verbale me një tifoz të Argjentinës në tribunë.

Në reagimin e saj zyrtar, FIFA ritheksoi se nuk toleron asnjë formë diskriminimi.

“Kupa e Botës FIFA është një festë e unitetit, diversitetit dhe respektit. Ajo bashkon njerëz, kultura dhe komunitete nga e gjithë bota dhe kushdo që vepron në një mënyrë që minon këto vlera nuk është i mirëpritur në lojën tonë”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.

Ky rast vjen vetëm pak ditë pasi sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe, e cilësoi një senatore nga Paraguai si “të neveritshme” dhe të padenjë për postin që mban, pas komenteve raciste që ajo bëri ndaj origjinës dhe arsimimit të tij.

Senatorja Celeste Amarilla, nga Partia Liberale Radikale e Paraguait, i publikoi komentet e saj në rrjetin social X pas humbjes së Paraguait ndaj Francës në fazën e 1/16-ës së finales së Kupës së Botës.

Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka njoftuar se do të ngrejë kallëzim penal ndaj Amarillas, duke i cilësuar deklaratat e saj si plotësisht të neveritshme dhe të papranueshme.