FFK publikon letrën e Albin Kurtit: Mbështetje për Kombëtaren pas humbjes

Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar një letër të kryeministrit Albin Kurti drejtuar presidentit të saj, Agim Ademi, në të cilën shprehet mbështetje dhe mirënjohje për Kombëtaren e Kosovës pas paraqitjes në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Në mesazhin e tij, Kurti falënderon stafin teknik dhe në veçanti trajnerin Franco Foda për punën…

Lajme

01/04/2026 21:40

Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar një letër të kryeministrit Albin Kurti drejtuar presidentit të saj, Agim Ademi, në të cilën shprehet mbështetje dhe mirënjohje për Kombëtaren e Kosovës pas paraqitjes në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.

Në mesazhin e tij, Kurti falënderon stafin teknik dhe në veçanti trajnerin Franco Foda për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë fushatës kualifikuese.

Ai thekson se, pavarësisht humbjes së fundit, puna dhe serioziteti i ekipit nuk zbehen nga një rezultat i vetëm.

Kryeministri vlerëson se Kombëtarja ka arritur të krijojë besim te qytetarët dhe se ky është një sukses që shkon përtej rezultateve në fushë.

Postimi i plotë:

Kryeministri Albin Kurti me mesazh mbështetjeje për FFK-në dhe Kombëtaren e Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka drejtuar një letër presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes së cilës ka shprehur mirënjohje dhe mbështetje për Kombëtaren e Kosovës dhe stafin e saj teknik, pas rrugëtimit të jashtëzakonshëm në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Letra e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Përshëndetje Kryetar,
Të lutem pranoje dhe përcille tutje një falënderim të madh për gjithë stafin teknik, e në veçanti për trajnerin Franco Foda, për paraqitjen në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës.
E di që humbja e djeshme dhemb. Sidomos kur ishim aq afër. Por puna, përkushtimi dhe serioziteti që janë ndërtuar në këtë ekip nuk humbin brenda një ndeshjeje.
Keni krijuar ekip që i dha besim një kombi të tërë. Kjo është shumë më e madhe se rezultati. Por tutje, rezultati final është ai në çka duhet të fokusohemi. Ju lutem t’i qëndroni fort rrugëtimit drejt Kampionatit Evropian.
Jemi shumë afër dhe jemi bashkë në çdo hap.
Kryeministri i Republikës së Kosovës
Albin Kurti./Lajmi.net/