FFK prezanton risitë para sezonit të ri: Superliga nis më 15 gusht me më shumë ndeshje nën dritat e reflektorëve
Në prag të fillimit të edicionit 2026/27, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka zhvilluar një takim me klubet, trajnerët, futbollistët dhe mediat në ambientet e Albi Mall, në sallën e Cineplexx. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ekipi i Kosovapress, ndërsa u prezantuan pritshmëritë dhe risitë për sezonin e ri, i cili nis…
Sport
Në prag të fillimit të edicionit 2026/27, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka zhvilluar një takim me klubet, trajnerët, futbollistët dhe mediat në ambientet e Albi Mall, në sallën e Cineplexx.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ekipi i Kosovapress, ndërsa u prezantuan pritshmëritë dhe risitë për sezonin e ri, i cili nis më 15 gusht.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe përfaqësuesi i Albi Mall, Albi Humolli, folën për zhvillimin e futbollit kosovar dhe rëndësinë e partneritetit mes dy institucioneve.
Ademi vlerësoi progresin e futbollit kosovar në ranglistën e UEFA-s, duke theksuar rezultatet e klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare.
“Liga jonë tashmë është pothuajse më e mira në Ballkan, e renditur në ranglistën e UEFA-s. Kjo është një kënaqësi, sepse kur e sheh se sa vite dhe për sa kohë kemi mundur të arrijmë në këtë pozicion, të 34-tin në UEFA, nuk është pozicion i vogël. Ne tash e 10 vjet jemi në këtë ligë, ku ekipet tona kanë bërë koeficientë dhe rezultate të mira në arenën ndërkombëtare. Sidomos, kjo po reflektohet edhe në shkuarjen e disa futbollistëve tanë në ligat më të rëndësishme.
Kreu i FFK-së veçoi dy risi të rëndësishme për edicionin e ri, duke nisur nga mundësia për aplikim për licencën më të lartë të UEFA-s për trajnerë.
“Mund t’ju them dy risi që për mua janë të rëndësishme. Njëra është se prej sot mund të aplikojë secili trajner i klubeve për licencën UEFA Pro, nëse ka trajnerë që nuk e kanë. Jam shumë i lumtur që kemi arritur në një afat kaq të shpejtë të vijmë deri te të gjitha kategoritë, deri te licenca më e lartë që jepet nga UEFA. Po ashtu, sivjet do të kemi më shumë risi, pasi më shumë ndeshje do t’i zhvillojmë në vendin tonë, në klubet tona dhe në qytetet tona, nën dritat e reflektorëve. Kemi filluar procesin dhe projektin e ndriçimit të stadiumeve të Superligës dhe ai do të vazhdojë, sepse nuk është vetëm për klubet e Superligës. Besoj se këto risi do të sjellin më shumë ekonomi dhe më shumë tifozë në klubet tona dhe në stadiumet tona.”
Në fund, Ademi u bëri thirrje tifozëve që të jenë pranë klubeve të tyre gjatë sezonit të ri.
“I lus tifozët të jenë afër klubeve të tyre dhe po ashtu futbollistëve, që të bëjnë një garë të fortë, shumë kompetitive, e cila do të rezultojë në fitoren apo nxjerrjen e një kampioni i cili është meritor. Këtë e duam dhe për këtë punojmë.”
Përfaqësuesi i Albi Mall, Albi Humolli, vlerësoi vazhdimësinë e bashkëpunimit me FFK-në, duke theksuar se ky partneritet shkon përtej sponsorizimit.
“Ky bashkëpunim përfaqëson vazhdimësinë e partneritetit që ndan të njëjtat vlera dhe vizion për zhvillimin e futbollit në vend. Për Albi Mall, ky partneritet ka qenë dhe vazhdon të jetë më shumë se një angazhim sponsorizues. Ai është një investim në zhvillimin e futbollit kosovar dhe një dëshmi e besimit tonë në potencialin e sportit vendor. Jemi krenarë që jemi pranë Federatës së Futbollit të Kosovës, klubeve, lojtarëve dhe tifozëve, të cilët me pasionin dhe përkushtimin e tyre e bëjnë futbollin një prej elementeve më të rëndësishme të shoqërisë sonë.”
Sezoni 2026/27 nis më 15 gusht, me synimin për më shumë konkurrencë, tifozë në tribuna dhe rezultate në arenën ndërkombëtare.