FFK paralajmëron ndriçim e tribuna të reja në stadiume
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku janë trajtuar çështje të rëndësishme për zhvillimin dhe organizimin e futbollit në vend. Në këtë takim, janë mirëpritur edhe anëtarët e rinj të KE-së, Enver Muzliukaj dhe Armend Misini, me theks të veçantë në rolin…
Sport
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku janë trajtuar çështje të rëndësishme për zhvillimin dhe organizimin e futbollit në vend. Në këtë takim, janë mirëpritur edhe anëtarët e rinj të KE-së, Enver Muzliukaj dhe Armend Misini, me theks të veçantë në rolin e tyre në vendimmarrjen strategjike të federatës.
Në aspektin e infrastrukturës, është vlerësuar se FFK ka përmbushur obligimet përmes investimeve në projekte të ndryshme, përfshirë fushat stërvitore. Megjithatë, është konfirmuar vazhdimi i investimeve, ku së shpejti pritet të nisë projekti për ndriçimin e stadiumeve, duke filluar me instalimin e reflektorëve në tri stadiume me bari natyral dhe më pas edhe në të tjera.
Paralelisht, është duke u hartuar edhe një projekt për ndërtimin e tribunave të reja, me qëllim përmirësimin e kushteve për tifozët, në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe lokale.
Sa i përket Kampit Nacional të FFK-së, është bërë e ditur se për stadiumin kryesor është në proces sigurimi i ulëseve me kapacitet prej 16 mijë e 800 vendesh.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes është diskutuar edhe për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare 2026, ku është vendosur që Kosovën ta përfaqësojë Kombëtarja U19 e vajzave.