Festimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës në Panama
Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama organizoi një pritje me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Aty morën pjesë mysafirë të shumtë nga MPJ e Panamasë dhe korit diplomatik.
Lajme
Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama, me rastin e shënimit të përvjetorit të 6’të të Pavarësisë se Kosovës, ka organizuar një pritje për autoritetet shtetërore të Panamasë, korin diplomatik të akredituar në Panama, organizata të ndryshme ndërkombëtare, komunitetin e biznesit dhe anëtarë te mërgatës shqiptare ne Panama.
E Ngarkuara me Punë, Zana Rudi, në fjalimin e saj falënderoi shtetin e Panamasë që e para ia hapi dyert Kosovës në këtë rajon, duke nisur kështu një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve bilaterale me Panamanë dhe me shtetet e tjera në Amerikën Qendrore dhe Jugore.
Rudi informoi pjesëmarrësit për hapjen e Ambasadës se Republikës se Kosovës ne Panama dhe ndër tjera tha se roli i Ambasadës së Kosovës në Panama është të fuqizojë imazhin e saj në Panama dhe rajon, si dhe të tërheqë investime të huaja dhe të promovojë eksporte të Kosovës.
Rudi foli për te arriturat dhe zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Ndër të rejat sa i takon përforcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale, Ajo përmendi edhe mundësitë që dialogu ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic në, Bruksel sjell për Kosovën dhe rajonin një te ardhme europiane.
Në këtë ceremoni morën pjesë mbi 80 mysafirë, duke përfshirë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Panamasë; Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë; Gjyqit Suprem te Drejtësisë; Ambasadorë dhe diplomatë tjerë te akredituar ne Panama; Odës Ekonomike; dhe Organizatave Ndërkombëtare.