Fermerët protestojnë para Ministrisë së Bujqësisë, kërkojnë ndalimin e importeve dhe rifillimin e grumbullimit të qumështit

Fermerët dhe përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit kanë protestuar të hënën para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar masa urgjente për mbështetjen e sektorit të qumështit, ndalimin e importeve nga vendet e rajonit dhe rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit. Përfaqësuesit e shoqatës thanë se prej një viti kanë paralajmëruar institucionet për gjendjen…

Lajme

06/07/2026 13:26

Fermerët dhe përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit kanë protestuar të hënën para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar masa urgjente për mbështetjen e sektorit të qumështit, ndalimin e importeve nga vendet e rajonit dhe rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit.

Përfaqësuesit e shoqatës thanë se prej një viti kanë paralajmëruar institucionet për gjendjen e rënduar në sektor, por sipas tyre, kërkesat e fermerëve nuk janë marrë parasysh.

“Jemi mbledhur sot para Ministrisë së Bujqësisë në përkrahje të fermerëve tanë. Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit, duke kërkuar masa që garantojnë investime dhe siguri për produktet tona, në mënyrë që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe i gjithë rajoni”, deklaruan ata.

Fermerët thanë se prej katër ditësh një pjesë e tyre nuk kanë ku ta dorëzojnë qumështin, veçanërisht ata që më parë e furnizonin kompaninë “Vita”.

“Një gjë duhet ta dijë populli, qumështi ‘Vita’ është i Kosovës, nuk është i Serbisë. Kërkojmë urgjentisht që grumbullimi i qumështit të fillojë menjëherë”, u shprehën ata.

Ata sqaruan se derdhja e qumështit nuk është zgjedhje, por pasojë e mungesës së pikave të grumbullimit.

“Lopa prodhon 24 orë pa ndërprerje dhe ne nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Jemi të detyruar ta derdhim. Mos i gjykoni fermerët, sepse ata janë shtresa që prodhojnë me djersën e ballit për këtë popull”, thanë protestuesit.

Shoqata kërkoi nga Qeveria ndalimin e importeve të qumështit nga vendet e rajonit, duke argumentuar se produktet e importuara po dëmtojnë prodhimin vendor dhe po favorizojnë importuesit në dëm të fermerëve.

“Kërkojmë nga Qeveria urgjentisht të ndalojë importin e qumështit nga vendet e rajonit. Pse favorizohen importuesit e jo prodhuesit? Deri kur do të vazhdojë kjo praktikë?”, deklaruan ata.

Po ashtu, fermerët kërkuan rikthimin e çmimit grumbullues të qumështit në nivelin që ishte para 1 majit 2026, duke theksuar se çmimi aktual nuk mbulon as koston e prodhimit.

“Çmimi me të cilin grumbullohet qumështi është nën koston e prodhimit. Një litër qumësht e shesim më lirë sesa na kushton ta prodhojmë”, thanë përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.