Fermerët Kosovarë: Na intereson vetëm qumështi i freskët i Vitës, e dimë që punojnë me vaj palme- ministri i ka përzier deklarimet
Në rreth 20 për qind të mostrave të analizuara të produkteve të qumështit në Kosovë, pati mospërputhje mes përbërësve dhe deklarimeve në etiketë. Shumica e mospërputhjeve kishin të bënin me praninë, por jo me deklarimin e vajit të palmës. Këto janë rezultatet e një kontrolli të përgjithshëm për rreth 3 muaj të Agjencisë së Ushqimit…
Lajme
Në rreth 20 për qind të mostrave të analizuara të produkteve të qumështit në Kosovë, pati mospërputhje mes përbërësve dhe deklarimeve në etiketë.
Shumica e mospërputhjeve kishin të bënin me praninë, por jo me deklarimin e vajit të palmës.
Këto janë rezultatet e një kontrolli të përgjithshëm për rreth 3 muaj të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), një organ i pavarur që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Kryeshefi i AUV-së, Bekim Hoxha, në një konferencë të përbashkët me Ministrinë, të martën, tha se kontrolli i zgjeruar pati qëllim “verifikimin e sigurisë ushqimore dhe autenticitetit të produkteve, përkatësisht saktësinë e deklarimit të përbërësve”.
“Janë marrë 495 mostra, që janë analizuar për parametra të ndryshëm, përfshirë përmbajtjen e yndyrës, proteinës, praninë e vajit të palmës, niseshtes e qumështit pluhur. Nga 93 mospërputhje, 46 raste kanë të bëjë me praninë e vajit të palmës”, sqaroi Hoxha.
Sipas AUV-së, mostrat e marra për analizë përfshinin produkte si qumështi, gjiza, ajka, krem qumështi e të tjera.
Mostrat, sipas këtij institucioni, janë marrë te prodhuesit, tregtuesit, përpunuesit dhe importuesit e produkteve të qumështit.
Sipas rezultateve të kësaj analize, ndonëse shumica e mospërputhjeve lidheshin me përbërës të detektuar, por të padeklaruar në etiketë, 8 për qind përfshinin përbërës të deklaruar, por të padetektuar.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net i ka kontaktuar Fermerët Kosovarë të Qumështit. Në përgjigjen e dhënë për mediumin tonë, thanë se momentalisht nuk po munden të prononcohen dhe se ministri Muja e ka lënë si të përzier.
“Nuk po mundemi me thanë pa u prononcu edhe fabrika. Ministri e la si të përzier në konferencë , nuk u deklarua diçka konkretë asgjë.”, thanë fillimisht ata.
Tutje, ata thanë se presin që të kenë takime edhe me ministrinë e Bujqësisë pas daljes së këtyre rezultateve, vetëm se po presin cilat do të jenë reagimet nga qumështorja dhe ndonjë deklaratë shtesë nga ministri Muja për ta sqaruar më shumë situatën e krijuar.
“Vetëm po presim se si po rrjedhin reagimet edhe nga qumështorja edhe mos po del me ndonjë deklaratë shtesë ministri, i ka lënë si të përzier shumë këtë deklaratë, nuk kishte dëshirë të përgjigjej konkretë. Ne e dimë që punojnë me vaj palme e qumësht pluhur, por ato nuk na interesojnë neve. Neve na intereson vetëm qumështi i freskët i Vitës, qaty është problemi krejt.”, tha një përfaqësues i Fermerëve të Qumështit.
Sipas tabelës së publikuar nga AUV, kompania ABRAZEN SH.P.K. Istog (Qumështorja VITA) ka importuar gjithsej 3,447,590 kilogramë qumësht pluhur të koncentruar në periudhën 2022–2026, duke mbuluar 45 për qind të tregut. Vlera e importeve llogaritet në mbi 6.2 milionë euro, raporton lajmi.net.

Këto janë rezultatet e përmbledhura nga mostrat e marra të produkteve qumështit, prezentuara nga Kujtim Uka, shef i laboratorit në AUV:
Kompani është Aldi, produkti gjizë. Testimet që janë kryer. Është detektuar vaji i palmës. Vaji i palmës nuk është deklaruar në produkt. Yndyrat nuk janë detektu dhe nuk janë deklaru.
Kompani Abi SHPK, krem i freskët. Vaji i palmës është detektuar. Nuk është deklaruar. Yndyra bimore është detektuar dhe është deklaruar.
Kompania Abi, speca në krem. Vaji i palmës është detektuar, nuk është deklaruar. Yndyrat bimore janë detektuar, nuk janë deklaruar.
Kompania Abrazen, produkti Holla Cream. Është detektuar vaj palme, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore janë gjetur, dhe e ka të deklaruar yndyrën bimore.
Kompania Abrazen, produkti qumësht. Vaji i palmës është detektuar, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore nuk janë detektuar.
Kompania Ajka, produkti ajkë Schmand. Është detektuar vaji i palmës, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore janë të detektuara, nuk janë të deklaruara.
Kompania Anor, produkti Double Cream. Vaji i palmës është i detektuar, nuk është i deklaruar.
Kompania Best BT, produkti margarinë. Janë gjetur vaj palme dhe yndyra bimore.
Kompania Bylmeti, është krem pite për vakum. Është gjetur vaj palme, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore janë gjetur dhe nuk janë deklaruar.
Kompania Bylmeti, produkti Schmand i freskët. Është gjetur vaj palme, nuk është i deklaruar.
Kompania Dauti, produkti përgatitje ushqimore me yndyrë bimore. Është gjetur vaj i palmës, nuk ka qenë i deklaruar.
Kompania Delfini, produkti bianca. Ka vaj palme, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore janë të gjetura dhe të deklaruara.
Kompania Elkos, produkti Mrekullia nga Ajka. Është gjetur vaj palme, nuk ka qenë i deklaruar. Yndyrat bimore janë gjetur dhe kanë qenë të deklaruara.
Kompania Elkos, margarinë. Është gjetur vaj palme, nuk ka qenë i deklaruar.
Kompania Gola, produkti kos me kajmak. Është detektuar vaj palme, nuk ka qenë i deklaruar.
Kompania Lactalis SHPK, qumësht, vaj palme nuk është gjetur dhe nuk është gjetur.
Kompania Grandi, margarinë rosa. Vaj palme është gjetur, nuk është deklaruar.
Korabi, produkti pavllak. Është detektuar yndyrë bimore, nuk është deklaruar.

Magic Ice, gjizë, është gjetur vaj palme.
Bylmeti, krem për pite, është gjetur vaj palme, nuk është deklaruar.
Drena SHPK, mazë tradicional. Është gjetur vaj palme, nuk është deklaruar.
Kompania PRO EX, produkt krem për pite. Është gjetur vaj palme, nuk është deklaruar. Krem Budget, vaj palme është detektuar nuk është deklaruar. Gjizë, vaji i palmës është detektuar nuk është deklaruar. Edhe te lëngu me speca dhe speca me ajkë është gjetur vaj palme.
“Bazuar në këto gjetje, Agjencia ka vepruar menjëherë. Operatorëve ekonomikë u është kërkuar deklarimi korrekt i produkteve, pajisja me autorizimet përkatëse, ndarja fizike e produkteve me origjinë shtazore dhe atyre me natyrë bimore. Në rastet kur është konstatuar mospërputhje serioze, janë marrë masa administrative”, thanë nga AUV./Lajmi.net/