Ferizaj e Vitia me dy kyçje të reja në autostradën “Arbën Xhaferi”

Sot është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues Ndërministror për Autostradën R6, Prishtinë-Hani i Elezit. Në këtë takim morën pjesë ministrat, në largim, i Infrastrukturës - kryetar i Komitetit Ndërministror, Lutfi Zharku, ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Lajme

26/05/2017 13:37

Në këtë takim u shqyrtuan kërkesat për kyçje të reja në autostradën “Arbën Xhaferi” e parashtruar nga 10 këshilltarë nga komuna e Ferizajt, kryetari i komunës së Ferizajit dhe kryetari i Komunës së Vitisë.

Pas shqyrtimit të kërkesave për kyçje të reja, në këtë takim u vendos që në parim të përkrahet ndërtimi i dy kyçjeve të reja në rrugën R6, Autostradën Prishtinë- Hani i Elezit, njëra për komunën e Ferizajit, në kuadër të segmentit kyçja Babush deri në kyçjen Bibaj, si dhe tjetra për komunën e Vitisë në kuadër të segmentit kyçja Bibaj deri në kyçjen Doganaj.