Ferati shpreh ngushëllime pas aksidentit tragjik në Shushicë: Fatkeqësi që na preku të gjithëve

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka shprehur ngushëllime për familjen Qorraj pas aksidentit tragjik të ndodhur në fshatin Shushicë, ku humbën jetën dy persona, përfshirë edhe një fëmijë. Ferati ka thënë se kjo ngjarje e rëndë ka tronditur gjithë qytetin, duke shprehur solidaritet dhe bashkëndjenjë me familjen e të ndjerëve, ndërsa ka uruar…

Lajme

20/07/2026 20:55

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka shprehur ngushëllime për familjen Qorraj pas aksidentit tragjik të ndodhur në fshatin Shushicë, ku humbën jetën dy persona, përfshirë edhe një fëmijë.

Ferati ka thënë se kjo ngjarje e rëndë ka tronditur gjithë qytetin, duke shprehur solidaritet dhe bashkëndjenjë me familjen e të ndjerëve, ndërsa ka uruar shërim për personat e tjerë të lënduar në aksident.

Përmes një reagimi në Facebook, kryetari i Istogut ka theksuar dhimbjen për humbjen e dy jetëve, duke e cilësuar rastin si një fatkeqësi që ka prekur të gjithë komunitetin.

“Jemi thellësisht të tronditur nga humbjet e jetëve që përjetuam sot. Si pasojë e një aksidenti tragjik në Shushicë të Istogut, u kumtua lajmi i shuarjes së menjëhershme të jetës së një fëmije, e më pas edhe të një pjesëtari tjetër të kësaj familjeje. Fatkeqësi që shënjon ditën e sotme dhe na mërzit të gjithëve”, ka shkruar Ferati.

Ai i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Qorraj, ndërsa ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht gjatë kushteve të vështira atmosferike.

“Ju bashkëndjejmë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes Qorraj për humbjet që përjetuat, si dhe lutemi për shëndetin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aksident trafiku”, ka shkruar ai.

Ferati ka apeluar tek të gjithë shoferët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë vozitjes, duke theksuar se siguria në rrugë duhet të jetë prioritet në çdo kohë. /Lajmi.net/