Ferati: LDK do t’i qëndrojë besnike marrëveshjes së bllokut

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka thënë se partia e tij nuk do të heq dorë nga marrëveshja e bllokut. 

Lajme

26/09/2014 23:26

Sadriu në emisionin Argument Plus në RTV21 tha se LDK-në e dëshirojnë të gjithë si partnerë për shkak të sjelljes së mirë të saj dhe konstruktivitetit.

Por, sipas tij, LDK-ja përfundimisht do t’i rrijë besnike koalicionit VLAN me të cilët beson se do të bëjnë kthesë të suksesshme në Kosovë.

“Neve na vjen mirë që të gjithë e dëshirojnë stabilitetin me LDK-në. Por këtë herë vendimet e saj janë që ne të kemi këtë qasje, pra në bashkëpunim me këto parti. Përfundimisht do të rrimë me këto parti që kemi nënshkruar marrëveshjen”.

“Besojmë se do të ndodhin kthesa të mëdha me këtë koalicion. Ne nuk jemi të partë as në Evropë dhe as në Regjion që partia fituese mbetet në opozitë.

“Demokracia nuk e thotë që kryeparlamentarin nëse nuk e fiton partia e parë, vendi mbytet. Mendoj se ne nuk kemi krijuar asnjë pengesë që PDK ta provojë këtë. Presim nga PDK një bashkëpunim që pasi të mos mund ta zgjedhë kryeparlamentarin, ta provojë se çfarë është i dyti”.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa, tha se profilet e PDK-së dhe LDK-së shkojnë njëra me tjetrën. Pas përgjigjes negative nga Sadriu në lidhje me ndonjë pajtim midis PDK-së e LDK-së, Remi tha se koalicionet nuk shkojnë për hir të individëve.

 “Nuk është dëshira që ne e duam LDK-në. Por ajo i ka numrat të cilat i ka fituar nga zgjedhjet. Ata e dinë ku i kanë gabimet mes tyre. Koalicionet nuk duhet të shkojnë për hir të disa individëve”.

“PDK duhet të ndihmohet nga partitë. Tekefundit PDK ka dalë fituese, nuk kisha dashur të merremi gjithmonë me deklaratën e Gjykatës Kushtetuese, të gjithë ne kemi së paku nivel arsimi mesatar.

“Nuk kemi të drejtë që me kaq pak vite shtetësi të dalim mbi ligjet e normat kushtetuese. Gjykata për kryetarin e kuvendit i ka dhënë të drejtë PDK-së”, tha Remi.