Fentanil u bë shkas i tarifave tregtare që vendosi Trump për disa shtete, por a përdoret tek ne si ilaç (apo si drogë) – Msh dhe Policia japin detaje

Fentanili, është një opiod i fuqishëm sintetik, që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve dhe për anestezion si dhe konsiderohet se është 50 deri në 100 herë më i fuqishëm sesa morfina. Ky opiod sintetik i cili shitej ilegalisht rrugëve në SHBA, është arsyeja kryesore për tarifat tregtare që presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur ndaj…

Lajme

23/02/2025 20:40

Fentanili, është një opiod i fuqishëm sintetik, që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve dhe për anestezion si dhe konsiderohet se është 50 deri në 100 herë më i fuqishëm sesa morfina.

Ky opiod sintetik i cili shitej ilegalisht rrugëve në SHBA, është arsyeja kryesore për tarifat tregtare që presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës. Ndaj dy të parave, shtete fqinje, ai tha se ka vendosur të pezullojë për një muaj vendosjen e tarifave të planifikuara, pas negociatave në momentet e fundit me to.

Në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, opioidi sintetik fajësohet për shkaktimin e një “emergjence kombëtare”, për të cilën, sipas saj, duhej merreshin masa të forta.

Sipas Qendrave amerikane për Kontollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, janë dy lloje të fentanilit: farmaceutik dhe ai i krijuar ilegalisht.

Fentanili mjekësor, sipas këtyre qendrave, prodhohet nga kompani farmaceutike dhe përdoret në operacione apo për të trajtuar dhimbjet e mëdha, kryesisht të pacientëve me kancer. Ai mund të jetë në formë të fllasterëve apo në formë të tabletave.

Ndërkaq, fentanili që krijohet në mënyrë ilegale kryesisht gjendet në formë të pluhurit, apo i shtypur në formë të tabletës. Ai mund të tymoset, thithet me hundë, injektohet apo gëlltitet.

“Fentanili dhe barnat analoge të ngjashme në aspektin kimik [përfshirë karfentanilin, aketifentanilin, butirfentanilin dhe furnail fentanilin] janë të lidhura me rritjen e vdekjeve nga mbidozat me opioide. Ka dëshmi se trafikantët e drogës mund të jenë duke shtuar fentanilin për të rritur fuqinë e produkteve të tyre [sikurse heroina] dhe e shesin fentanilin në formë të tabletave dhe i bëjnë të duken si barna të zakonshme. Prandaj, shumë përdorues dalin pozitiv në testet për fentanil dhe për barnat e tjera analoge, dhe nuk e dinë se ku e kanë marrë këtë substancë”, thuhet në ueb-faqen e OBSH-së.

Por a përdoret fentanili në Kosovë?

Fentanil, si opiod i fuqishëm sintetik përdoret edhe në Kosovë, por sipas Ministrisë së Shëndetësisë vetëm për qëllime mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje për lajmi.net ka thënë se Produkti medicinal Fentanyl është në Listën Esenciale të Barnave dhe se ShSKUK ka kontratë për furnizim me Fentanyl sipas formës dhe dozave në vijim.
fentanyl*

  • Fllaster transdermal: 25 mcg/hr;
    fentanyl*
  • Fllaster transdermal: 50 mcg/hr;
    fentanyl*
  • Fllaster transdermal:  75 mcg/hr;
    fentanyl*
    Injeksion: 50 mcg/mL, 2 mL

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, produkti medicinal Fentanyl planifikohet nga Klinika e Anesteziologjisë dhe nga Klinika e Onkologjisë (fllasteret transdermal), shkruan lajmi.net. 

“Në Kliniken e Anesteziologjisë, forma ampulare e Fentanyl përdoret për lehtësimin e dhimbjes dhe sedacion gjatë procedurave kirurgjikale. Pra, shërben për mirëmbajtjen e anestezisë, në kombinim me anestezike tjerë duke siguruar analgjezi intraoperative. Po ashtu, shërben edhe për analgjezi postoperatore, kontrollin e dhimbjeve pas operacionit. Në Kliniken e Onkologjisë (fllasteret transdermal) përdoren për menaxhimin e dhimbjeve kronike, në mënyrë të veçantë të pacientët e hospitalizuar në Onkologji, tek të cilët dhimbja nuk mund të menaxhohet me opioide me të dobëta. Fentanili është i regjistruar si produkt medicinal me përmbajtje të substancës narkotike, në formë të tretjes për injeksion dhe fashës transdermale, e cila ipet vetëm me përshkrim të mjekut, për indikacionet të përshkruara në fletudhëzimin për pacient”, ka thënë MSH për lajmi.net.

Tabela e fentanilit e regjistruar nga MSH deri me datën 08.01.2025

Fentanil (si drogë) njihet se është vdekjeprurëse dhe shumë e rëndë për ata që e përdorin. Në lidhje me këtë, lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek Policia e Kosovës, nëse kanë hasur në ndonjë rast të përdorimit të fentanilit jashtë SHSKUK-së apo në formë ilegale (si drogë) tejet e rëndë. Por nga Policia kanë deklaruar se Njësia e Antidrogës nuk ka evidentuar ndonjë rast me fentanil në vendin tonë.

“Deri në këtë fazë antidroga e PK-së nuk ka evidentuar ndonjë rast me Fentanyl (fentanil)”, ka thënë Policia e Kosovës për lajmi.net.

Në rajon, Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut nuk raportohet përdorimi i saj ndërkaq në Bullgari në vitin 2023 ishte raportuar për dhjetë vdekje që ndodhën brenda një periudhe të shkurtër kohore në Varna. Sipas qendrave të pavarura për rehabilitimin e drogave, këto vdekje u shkaktuan nga fentanili.

Atëbotë, Ministria e Brendshme bullgare tha se prania e kësaj substance ishte sporadike në Bullgari, dhe se shumica e rasteve kishin të bënin me vjedhjen e substancave nga dërgesat e ligjshme të substancave për përdorim mjekësor.

Gjendja shumë e rënduar nga fentanili është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku çdo vit ky lloj i drogës shkakton vdekjen e dhjetëra mijëra personave në SHBA çdo vit, dhe shteti e ka shpallur epidemi përdorimin e barnave opioide.

Gjatë dekadës së fundit, fentanili me shpejtësi është bërë një nga ilaçet më vdekjeprurëse në SHBA, sipas Associated Press, që ka cituar të dhëna nga autoritetet në luftën kundër drogave.

Më 2022, dy e treta e mbidozave – pothuajse 74.000 raste – u shkaktuan nga opioidet sintetike, kryesisht fentanili.

Kjo substancë u shfaq në tregun e zi amerikan më 2014, sipas Reuters. Fillimisht, ishte dërguar kryesisht nga Kina, përmes postës, deri më 2019, kur Pekini, nën presionin amerikan, e klasifikoi si substancë të kontrolluar.

Që atëherë, organizatat kriminale meksikane kanë marrë tregun dhe janë bërë trafikantët kryesorë të fentanilit në SHBA.

Trafikimi i kësaj substance është përmendur 12 herë në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar në muajin janar nga presidenti Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa shteteve, me qëllim që, veç tjerash, të ndalet trafikimi i kësaj substance. Kjo substancë është identifikuar si problem kombëtar në SHBA. /Lajmi.net/