Fenomeni ‘Infodemia’, rreziku tjetër krahas pandemisë së koronavirusit

Dezinformatat  mbi të gjitha kanë shkaktuar panik te qytetarët dhe, si pasojë e prirjes së qytetarëve për të shpërndarë çdo informacion që lexojnë, të paverifikuar dhe shpesh të rremë, ato kanë depërtuar te një publik edhe më i gjerë.

Opinion

27/03/2020 12:00

Shkruan: Dren Gërguri

Fenomeni i infodemisë po përhapet me të madhe në javët e fundit. Dezinformata të shumta dhe të ndryshme po shpërndahen që nga koha kur u fillua të raportohet për koronavirusin apo COVID 19. Për shkak të numrit të madh të dezinformatave në mbarë botën, Organizata Botërore e Shëndetit filloi të përdorë termin ‘infodemi’ për të etiketuar dezinformatat e shpërndara për koronavirusin.

Shoqëritë e vendeve në mbarë globin, tashmë, përveç betejës kundër pandemisë së koronavirusit, duhet të luftojnë edhe infodeminë, term që Organizata Botërore e Shëndetit e ka futur në përdorim për të shpjeguar publikimin e informacioneve të pasakta dhe që ua vështirësojnë njerëzve të gjejnë burime të besueshme dhe udhëzim të besueshëm, kur ata kanë nevojë për të. Pra, infodemia është ‘sëmundja’ që ka ‘infektuar’ informacionet me të pavërteta.

Koronavirusi u shfaq në fund të vitit të kaluar në qytetin Vuhan të Kinës dhe, bashkë me raportimet e sakta, u shpërndanë edhe shumë informacione të pasakta në medie sociale. Dezinformimi është përhapur në të gjitha platformat më të njohura të teknologjisë, tok me panikun në lidhje me virusin, i cili ka infektuar mbi 500 mijë njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e mbi 24 mijë njerëzve në mbarë botën. Dezinformatat janë shpërndarë në Facebook, Twitter, YouTube, Viber, WhatsApp etj., dhe në Kosovë, pikërisht media sociale si Facebook-u, është ndër burimet kryesore të informacionit dhe dezinformacionit.  Jetojmë në një kohë të mbushur me dezinformata dhe, kohëve të fundit, ato u orientuan më shumë në temën e koronavirusit, për shkak të interesimit të madh të qytetarëve në mbarë botën për të kuptuar më shumë rreth këtij virusi, qoftë për rrezikshmërinë apo edhe për masat mbrojtëse.

Mediet sociale ndër vite janë treguar burime të papërshtatshme për informacione në kohë krize dhe hutimi. Kur ka mjegullnajë në botën e informacionit, atëherë keqdashësit mund të përfitojnë duke shpërndarë dezinformata të ndryshme për pandeminë që po merr jetë njerëzish çdo ditë. Në dy muaj e gjysmë në vitin 2020 janë krijuar 4 mijë ueb-faqe të reja që përmendin koronavirusin në emrin e tyre dhe, tre përqind e tyre janë krijuar për të shpërndarë dezinformata. Megjithatë, rrezikshmëria më e madhe nga infodemia është përhapja e dezinformatave nga qytetarët në media sociale.

Në Kosovë, qytetarët e mbyllur në shtëpitë e tyre, më shumë se çdo herë tjetër po informohen në Facebook. Kjo medie sociale është burimi kryesor në këtë periudhë karantinimi dhe, përveç lajmeve për koronavirusin, të cilat i merr, qytetari, njëkohësisht i ekspozohet edhe një morie dezinformatash. Dezinformatat që, mbi të gjitha, kanë shkaktuar panik te qytetarët dhe, si pasojë e prirjes së qytetarëve për të shpërndarë çdo informacion që lexojnë, të paverifikuar dhe shpesh të rremë, ato kanë depërtuar te një publik edhe më i gjerë. Dezinformata si: Fëmijët janë imunë ndaj koronavirusit; Ekziston vaksina e koronavirusit; Qeveria kineze ndërtoi një spital brenda natës; janë shpërndarë nga qytetarët tanë, të cilët të pavetëdijshëm për dëmin, janë bërë pjesë e manipulimit.

Të dezinfektohemi nga faqet e internetit duke i marrë informacionet vetëm në burime të besueshme dhe gjithnjë duke i analizuar me gjykim kritik. Përndryshe, do të kontribuojmë në shpërndarjen e infodemisë, që mbi të gjitha, po prodhon panik te publiku. Sikurse që për pandeminë e koronavirusit që po na kërkohet të ndërmarrim masa parandaluese, edhe për infodeminë duhet që, secili prej nesh të marrim masa mbrojtëse, duke fshirë faqet që shpërndajnë dezinformata, duke verifikuar informacionet e marra në mediet sociale, me informacione qoftë në burime zyrtare të institucioneve shtetërore, ose në medie serioze.