Fëmijët me nevoja të veçanta pa përkrahje nga shteti

Në Kosovë janë rreth 6 mijë fëmijë me nevoja të veçanta, të cilët vijojnë mësimin në shkolla të rregullta. Legjislacioni në fuqi u mundëson atyre që të kenë mundësi të barabarta shkollimi dhe përfaqësimi me fëmijët tjerë në shkolla.

Lajme

28/12/2017 10:31

Por, njëherësh për këta fëmijë nevojiten edhe asistentët nëpër klasat shkollore. Ndonëse me ligj, shteti i njeh ata si të barabartë me fëmijët tjerë, nuk ka ndarë ndonjë buxhet për nevojat e asistencës. Andaj, vite me radhë prindërit janë ata që detyrohen t’i paguajnë asistentët për angazhimet e tyre me fëmijët, sipas planit individual që kërkohet për fëmijët me nevoja të veçanta.

Drita Meta është nënë e vajzës 13-vjeçare, e cila ka lindur me sindromën down.

Ajo thotë se i ndanë 150 euro në muaj, për asistenten e cila i ndihmon vajzës së saj në klasë për planin individual që ajo e ndjek.

“Elita është 13-vjeçare dhe është në klasën e gjashtë. Ajo përcillet me asistentë pasi që punon sipas planit individual, dhe kjo nuk është e përfshirë në plan-program të rregullt. Andaj ne jemi të obliguar që vajza të ketë asistentë. Ne paguajmë 150 euro në muaj për asistenten. Duke i marrë parasysh kushtet dhe pagat, është shumë e vështirë për neve”, thotë Meta.

Para pak ditësh, në seancën e Kuvendit të Kosovës, shumica e deputetëve nuk e ka përkrahur një amendament të propozuar nga deputetja Arbërie Nagavci, njëherësh ish-drejtoreshë e Arsimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për fëmijëve me nevoja të veçanta. Me këtë amendament kërkohej që ata të kenë në shkolla asistentë shtesë, psikologë e pedagogë në çerdhe.

Drita Meta, shprehet e zhgënjyer me deputetët që nuk e kanë miratuar këtë amendament.

“Nuk e kam pritur një gjë të tillë, pasi që në planin e gjithë përfshirjes që ekziston, nëse nuk u përmbushen nevojat adekuate, nuk është gjithë përfshirje. Nuk e kam kuptuar arsyen pse e kanë bërë një gjë të tillë deputetët, por vetëm një shpjegim e kam. Nuk janë nën lëkurën tonë”, thekson Meta.

Ndërkohë, deputetja Arbërie Nagavci tha për Radion Evropa e Lirë se shuma e cila do t’i mbulonte asistentët që tash e sa vjet i paguajnë vetë prindërit me shumë vështirësi, nuk ka qenë e papërballueshme për shtetin e Kosovës.

“Legjislacioni në fuqi e parasheh gjithë përfshirjen dhe mundësitë e barabarta për fëmijë në shkolla. Shuma nuk ishte e papërballueshme për shtetin derisa prindërit detyrohen t’i paguajnë vetë shpenzimet”.

“Ne kemi propozuar që 50 asistentë dhe 100 psikologë të punësohen. Ky numër është i vogël dhe nuk i plotëson të gjitha nevojat , por kemi menduar që të fillohet kështu dhe më pas të shtohet numri, por që për një votë deputetët nuk e votuan këtë amendament dhe kjo nuk kaloi”, tha Nagavci.

Ndërkaq, Sebahate Beqiri, drejtoreshë e organizatës ‘’Down Sindrom Kosova’’ tha se mungesa e mbështetjes nga deputetët për rritjen e numrit të psikologëve dhe amendamentit për pranimin e asistentëve nëpër shkollat e rregullta, ka qenë një zhgënjim i madh, duke i marr parasysh nevojat e këtyre fëmijëve.

“Ajo çka ndodhi në Kuvend nuk do koment, e që në anën tjetër e kemi një kornizë ligjore që mbështetë gjithë përfshirjen dhe sigurimin e shërbimeve në bazë të nevojave”.

“Ne si shoqatë, e po ashtu prindërit, janë shumë të shqetësuar për këtë mospërkrahje nga deputetët”, tha Beqiri.

Bazuar në deklaratat e dhëna nga zyrtarët në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, saktësisht në shkolla fillore dhe të mesme janë 6,049 nxënës me nevoja të veçanta, derisa parashkollor janë 99 prej tyre.