​“Fëmijët janë arsyet pse luftojmë për paqe”, mbyllet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Rreth pesëqind fëmijë nga Kosova dhe Shqipëria morën pjesë në përmbylljen e edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Osmani mirëpriti pyetje nga më të ndryshmet që fëmijët ia parashtruan asaj. Para të vegjëlve, presidentja Osmani tha se fëmijët janë arsyeja kryesore për çka punohet…

Lajme

03/06/2025 19:51

Rreth pesëqind fëmijë nga Kosova dhe Shqipëria morën pjesë në përmbylljen e edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Osmani mirëpriti pyetje nga më të ndryshmet që fëmijët ia parashtruan asaj.

Para të vegjëlve, presidentja Osmani tha se fëmijët janë arsyeja kryesore për çka punohet e bëhet përpjekje për mbrojtje të paqes.

Ajo përmendi se gjatë luftës Kosova humbi shumë fëmijë, por gjeneratat e ardhshme janë e ardhmja e shtetit për të cilët duhen punuar shumë.

“Ne edhe vitin e kaluar e kemi përmbyllur forumin me më të rinjtë tanë, më të ëmblit tanë sepse duam jo vetëm ta përmbyllim forumin me një notë pozitive, por në të njëjtën kohë t’ia përkujtojmë të gjithëve pse punojmë, pse mundohemi dhe pse shkon gjithë ajo përpjekje në mbrojtje të paqes. Është pikërisht për shkak të zemrave të vogla që i shihni sot këtu prezent. Kosova ka kaluar vërtetë në tmerre të mëdha dhe ka humbur shumë fëmijë gjatë atyre tmerreve të luftës. Mirëpo, kur sot i shohim këta vajza e djem të vegjël me aq shumë dashuri dhe ajo që ndjejmë në çdo vend është pikërisht ndjenja që ta jep buzëqeshja e tyre dhe dashuria e tyre në vend të tmerreve që i kemi përjetuar, ka kuptim ndaj gjithçkaje që ne bëjmë çdo ditë”, tha Osmani.

Unë nuk kam takuar ndonjëherë as presidente as mbret, por ti ke takuar shumë. Më thuaj të vërtetën, cili prej tyre të ka lënë pa fjalë? Kjo ishte njëra ndër pyetjet që fëmijët panelistë ia drejtuan presidentes.

Ajo u përgjigj duke thënë se askund, askush, as mbret e as president nuk e ka lënë ndonjëherë pa fjalë atë.

Osmani inkurajoi fëmijët të mësojnë e t’i përkushtohen të ardhmes, në mënyrë që të kenë një të ardhme të ndritur, e pse jo, siç tha ajo, për të udhëhequr shtetin.

“E vërteta është që pa fjalë nuk më ka lënë askund askush. As president, as mbret. Në qoftë se punon shumë, dhe mëson shumë në shkollë dhe kjo vlen për të gjithë fëmijët, edhe ju një ditë do të bëheni president, kryeministra, lider të shteteve të juaja, qoftë në politikë, qoftë në fusha të ndryshme, do të keni mundësi që të udhëhiqni shtetet tuaja… Kosova është shumë me fat, është një prej bekimeve më të mëdha që e kemi se kemi shumë miq të cilët kanë qëndruar krah nesh në kohërat më të vështira”, u shpreh Osmani, raporton KP.

Ndërkaq, Eda nga Prishtina e pyeti presidenten Osmani se “pse të rriturit nuk mund të ndalen së luftuari, kur ata si fëmijë e dinë që të luajnë edhe kur janë ndryshe.

Osmani tha se sa më shumë që të dëgjohet zëri i fëmijëve, aq më pak do të ketë luftëra nëpër botë. Por, sipas saj, shumë të rritur e harrojnë këtë gjatë rrugës.

“Eda ke plotësisht të drejtë me këtë pyetje e cila e dëshmon jo vetëm pastërtinë e fëmijëve pavarësisht se nga cila etni, cila racë dhe me çfarë backgroundi kanë dhe vijnë dhe fëmijët kurrë nuk janë ata që e fillojnë luftën, por në të njëjtën kohë, fëmijët nuk janë ata që mund ta përfundojnë luftën sepse gjithçka është në duart e të rriturve. Sa më shumë që të dëgjohet zëri i fëmijëve aq më pak do të ketë luftëra nëpër botë… Shumë të rritur fatkeqësisht harrojnë këtë gjatë rrugës, ne duhet t’ua përkujtojmë se pavarësisht se jemi ndryshe askund nuk duhet ta harrojmë ose anashkalojmë humanen brenda nesh”, tha Osmani.

Ndërkaq, njëri nga fëmijët që kishte ardhur nga Shqipëria e pyeti presidenten se çfarë mund të mësojnë Shqipëria dhe Kosova nga njëra-tjetra.

E para e vendit tha se shteti ynë mund të mësojë nga përvoja e Shqipërisë. Krahas kësaj, Osmani tha se Kosova ka më shumë energji dhe pasion.

“Ne mund të mësojmë shumë nga përvoja e Shqipërisë. Sepse Shqipëria është shtet që më shumë se njëqind vite, kurse Kosova i ka vetëm 17 vjet dhe me më pak përvojë. Por nganjëherë duket se kemi më shumë energji/ vajzat e vogla, motrat e vogla kanë më shumë energji, apo jo? Edhe i bëjnë gjërat ndoshta me më shumë pasion. Këtë e kemi ndoshta edhe më të bukur. Kurse Shqipëria e ka përvojën dhe e përcjellim këtë energji pozitive tek njëra-tjetra”, tha Osmani.

Në kuadër të edicionit të tretë, tema kryesore e forumit ishte “Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”!

Në këtë forum morën pjesë mbi 150 folës nga 45 vende të ndryshme të botës.

Ndërkaq, hapjen e edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e bëri Vanesa Sylejmani, vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyhrete Sylejmani.

Në kuadër të këtij Forumi, e para e vendit ndau medalje presidenciale për nënat e Srebrenicës.