Fëmijët e familjes Sadriu për Vitin e Ri: Duam veç nga një dhuratë (Video)

Familja Sadriu nga lagjja Dodona në Prishtinë, me një shtëpi të rrënuar që nga paslufta, e që as nuk është fare e tyre.

Lajme

30/12/2016 11:48

Pa kushte elementare për jetesë, këtë familje e mbërriti ky dimër i ftohtë e festa e fundvitit që fëmijët e tyre çdo ditë e ëndërrojnë, shkruan lajmi.net.

Është vetëm një dhomë e shtëpisë ku familja pesë anëtarësh bënë gjumin, han ushqim, pushojnë, shikojnë televizor e gjithçka tjetër, pasi pjesa tjetër e shtëpisë është krejtësisht e pashtruar.

Edhe kjo dhomë që ata kanë nuk është e madhe, nuk ka kushte të mira, madje lagështia e këtij dimri të ftohtë ka filluar t’ju hyj brenda.

“Ky dimri i ftohtë që po vjen unë e kom mas vështiri, prej mëngjesit deri nesër në mëngjes unë nuk e shkymi shporetin. Me bo me shkym ni orë a dy ktu ski ku rrin prej ftohtit, ngrihen xhamat, shkallt, thu ti është akull”.

Janë tre fëmijë të vegjël që me buzëqeshje në fytyrë po kalojnë dimrin aty, pa ndonjë ankesë, madje festën e Vitit të Ri vetëm që e kanë dëgjuar, ata se festuan asnjëherë si të tjerët!

Majlinda, Majlindi dhe Mirlindi, tre engjëj të vegjël që nuk kërkojnë shumë, vetëm nga një dhuratë për Vitin e Ri…

Lajmi.net pati mundësinë t’i shoh kushtet e vështira me të cilat familja Sadriu përballet çdo ditë, por ka pak prej njerëzve që i vizituan të paktën edhe njëherë të vetme, le më t’i dërgojnë pak ndihmë.

Në brendësi të shtëpisë së tyre ka kushte të mjerueshme, ata jetojnë një jetë nën erën e mykut, madje nuk i ngjason fare një shtëpie njerëzish.

Valbona, nëna e tre fëmijëve, thotë se kërkesat e saja nuk janë të shumta, ndoshta elementare është ushqimi dhe një shtëpi e vogël, qoftë përsëri vetëm një dhomëshe, vetëm se të jetë e ngrohtë për të vegjlit e saj.

“I lus njerëzit, që kjo festë që po vjen fmija mi nuk e din çka është, edhe me ju kallxu pom vjen gjyna se me 5 euro s’bon kurgjo”, tha ajo.

Shtëpia është e pamobiluar si duhet, e pabanueshme dhe e ftohtë, por familja Sadriu çdo mëngjes e nis ditën e tyre me shpresë që dikush do të vijë të trokasë në derë dhe do t’iu ndihmojë.

Zonja e shtëpisë tha për lajmi.net se ka kërkuar ndihmë nga institucione të ndryshme, edhe pse deri tani askush nuk i ka dalë në ndihmë, madje kërkesën për një shtëpi apo banesë e ka dërguar edhe në Komunë.

Tre fëmijët që jetojnë në shtëpi, kishin të rregulluar edhe një bredh të vogël të cilin e kishin gjetur diku, por edhe pse i vogël ata po kënaqeshin duke e shikuar e duke e ditur se ka një festë edhe për ta.

Kishin turp të flisnin, por ata e duan nga një dhuratë për Vitin e Ri ashtu si gjithë fëmijët tjerë që marrin.

Majlindi i cili është në klasën e parë, ka një kërkesë si gjithë djemtë e tjerë, një veturë…

Por kush do t’i bëjë atyre dhurata kur prindërit e tyre nuk arrijnë? A do e shohin ndonjëherë ata ‘Babadimrin’ si fëmijët e tjerë që madje edhe fotografohen me të për fundvit!

Ngrohtësia në zemrat e kësaj familje vazhdon të ekzistojë, edhe pse jo në ambientin e shtëpisë së tyre të rrënuar, e pritja e tyre për një shtëpi të ngrohtë ende vazhdon…

TË GJITHË ATA QË SHPREHEN TË GATSHËM PËR NDIHMË, REDAKSIA E LAJMI.NET E KA NUMRIN KONTAKTUES TË FAMILJES.

/Lajmi.net/