Fejza: LVV do të presë certifikimin e rezultateve para takimeve me partitë politike
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se LVV ende nuk ka nisur takimet me partitë politike pasi po pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Fejza tha se procesi zgjedhor ka një rend të përcaktuar me ligj dhe se hapat po ndiqen sipas afateve zyrtare. “Tani është një rend i gjërave i përcaktuar me…
Lajme
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se LVV ende nuk ka nisur takimet me partitë politike pasi po pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Fejza tha se procesi zgjedhor ka një rend të përcaktuar me ligj dhe se hapat po ndiqen sipas afateve zyrtare.
“Tani është një rend i gjërave i përcaktuar me ligj sa i përket mënyrës se si duhet të zhvillohen proceset pas përfundimit të zgjedhjeve. Sigurisht, është certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja. Ju e keni parë që procesi i numërimit ka shkuar në rregull dhe ne e kemi konsideruar shumë të rëndësishme të presim certifikimin e rezultateve, sepse pas certifikimit deputetët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve, e pastaj të fillojnë diskutimet me partitë”, ka thënë Fejza në Teve1.
Ajo shtoi se më herët LVV kishte pasur një arsyetim për ofertat drejtuar LDK-së, duke u bazuar edhe në perceptimet e opinionit publik për afërsinë mes elektorateve.
“Ka pasur një arsyetim tonin për ofertat që i kemi bërë LDK-së, sepse votuesi i LVV-së dhe i LDK-së, sipas matjeve të opinionit publik, konsiderohet se është më i afërt dhe e pranon më lehtë bashkëpunimin. Ne kemi menduar se mbi bazën e vullnetit të qytetarëve mund të vazhdohet bashkëpunimi. Tani jemi në rrethana krejt të reja, jo vetëm për Republikën e Kosovës por edhe për LDK-në, prandaj të gjitha këto do të definohen në momentin kur do të fillojnë takimet me partitë politike”, ka shtuar ajo.