Feim Salihu nuk do të mund ta ushtrojë detyrën e drejtorit të “Pastrimit”

Feim Salihu nuk do të mund ta ushtrojë më detyrën e drejtorit të ndërmarrjes “Pastrimi”. Kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinës. 

Lajme

19/01/2015 15:06

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Feim Salihu nuk mund të kryej këtë detyrë deri sa të mos zgjidhet kontesti gjyqësor.

Komuna e Prishtinës përmes gjyqit kishte kërkuar të mos zbatohej vendimi i Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, me të cilin Salihut i vazhdohej mandati i drejtorit, përkundër kontestimit të Komunës.

Sipas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, përveç shkarkimit të Feimit, Bordi i ndërmarrjes ‘Pastrimi’ në mënyrë të paligjshme ia ka vazhduar mandatin drejtorit më datën 20 dhjetor 2013, 20 ditë pas fitores së Vetëvendosjes në Prishtinë.

“Këtë e ka bërë pa konkurs dhe në kundërshtim me ligjin”, shkruan Ahmeti.

Pas padisë së Komunës dhe kërkesës së masës së përkohshme që ai vendim nuk mund të zbatohet derisa të zgjidhet kontesti, Gjykata Themelore ka përfillur padinë e Komunës.

Bashkangjitur është vendimi i Gjykatës për masën e përkohshme të pezullimit të vendimit për vazhdimin e mandatit.