FAZ: Osmani po e luan rolin “kandidates së preferuar të Washingtonit” në mungesë të votave në Prishtinë
E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) i ka kushtuar një analizë të gjatë rolit dhe lëvizjeve të fundit diplomatike të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i lidhur ato drejtpërdrejt me përpjekjet e saj për të siguruar edhe një mandat në krye të shtetit. Sipas gazetarit Michael Martens, Osmani po përpiqet ta paraqesë veten…
Lajme
E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) i ka kushtuar një analizë të gjatë rolit dhe lëvizjeve të fundit diplomatike të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i lidhur ato drejtpërdrejt me përpjekjet e saj për të siguruar edhe një mandat në krye të shtetit.
Sipas gazetarit Michael Martens, Osmani po përpiqet ta paraqesë veten si figurë të afërt me rrethin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, në një kohë kur mbështetja e brendshme politike për rizgjedhjen e saj konsiderohet e pasigurt, transmeton lajmi.net.
FAZ shkruan se kjo strategji synon ta shfrytëzojë peshën tradicionale që Shtetet e Bashkuara kanë në politikën dhe sigurinë e Kosovës.
Gazeta përmend paraqitjen e Osmanit në Davos dhe përfshirjen e Kosovës në atë që artikulli e quan “Bordi i Paqes” i lidhur me Trumpin, duke theksuar se presidentja e ka paraqitur këtë si arritje të rëndësishme diplomatike.
Megjithatë, sipas FAZ, mbetet e paqartë se sa ndikim real ka ky mekanizëm dhe nëse afërsia e ekspozuar me Trumpin do të përkthehet në përfitim konkret politik brenda Kosovës.
Roli i Ramës dhe mungesa e koordinimit me Kurtin
Në analizë përmendet edhe një dimension rajonal. FAZ, duke iu referuar burimeve jozyrtare në Prishtinë, shkruan se Osmani nuk ka vepruar në koordinim me kryeministrin Albin Kurti në këto iniciativa, por se ndihmë për qasje në rrethin e Trumpit dyshohet t’i ketë ofruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gazeta e lidh këtë me marrëdhëniet e tensionuara mes Ramës dhe Kurtit, duke sugjeruar se Rama mund ta shohë Osmanin si kundërpeshë politike ndaj liderit të Vetëvendosjes. Në këtë kontekst, përmendet edhe raporti i Ramës me Jared Kushnerin dhe projektet e investimeve të përfolura në Shqipëri.
“Kandidatja e Trumpit” përballë mungesës së votave
FAZ thekson se presidentja e Kosovës zgjidhet nga Kuvendi dhe se, sipas vlerësimeve të gazetës, Osmani nuk e ka të garantuar një shumicë të qartë parlamentare. Në këtë sfond, artikulli sugjeron se ajo po përpiqet ta ndërtojë imazhin e “kandidates së preferuar të Washingtonit”, me llogaritjen se deputetët do të hezitojnë ta refuzojnë një figurë që perceptohet si e mbështetur nga SHBA-ja.
Madje, sipas një burimi të cituar nga FAZ, në Prishtinë qarkullon përshtypja se mesazhi i nënkuptuar është se mosrizgjedhja e saj mund të krijojë probleme në raportet me Shtetet e Bashkuara. Gazeta shton se një logjikë e tillë mund të ketë funksionuar në të kaluarën, por vë në dyshim nëse ende ka të njëjtin efekt.
Shembulli i Kurtit dhe ndryshimi i klimës politike
Si kundërargument, FAZ sjell rezultatin e zgjedhjeve të fundit, ku Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, pavarësisht marrëdhënieve të ftohta që ai ka pasur me administratën Trump. Sipas gazetës, kjo tregon se elektorati kosovar nuk e sheh më domosdoshmërisht afërsinë me një administratë të caktuar amerikane si faktor vendimtar në votë.
Artikulli përmend edhe pezullimin e dialogut strategjik nga SHBA-ja dhe kritikat e adresuara ndaj Qeverisë Kurti, por nënvizon se, megjithatë, kjo nuk e pengoi fitoren e tij të thellë në zgjedhje.
Mes “realizmit” dhe akuzave për servilizëm
FAZ vëren se në Kosovë ka dy lloje reagimesh ndaj qasjes së Osmanit: disa e shohin si realizëm pragmatik në një shtet që e konsideron praninë amerikane – përfshirë bazën Bondsteel – si garanci sigurie, ndërsa të tjerë e kritikojnë si teprim dhe servilizëm politik.
Në këtë kuadër përmenden edhe episode simbolike, si organizimi i një ngjarjeje për premierën e dokumentarit “Melania” në Prishtinë dhe një propozim i bashkëshortit të presidentes për ta kthyer ish-Hotel Grandin në një “Hotel Trump”. Sipas FAZ, këto veprime janë pritur me tallje dhe kritika në një pjesë të opinionit publik.
Gazeta rikujton edhe deklarata të mëhershme të Osmanit për fuqizimin e grave, duke e vënë këtë në kontrast me kritikat aktuale ndaj mënyrës se si ajo po e ndërton profilin e saj ndërkombëtar.
Një strategji me shumë pikëpyetje
Në përfundim, FAZ shpreh dyshime nëse afrimi i dukshëm me Trumpin do t’i sjellë Osmanit përfitimin e synuar politik. Sipas gazetës, pesha e SHBA-së në Kosovë mbetet e madhe, por dinamika e brendshme politike dhe vota e qytetarëve po tregojnë se narrativa e frikës nga prishja e marrëdhënieve me Washingtonin nuk është më aq vendimtare sa dikur.
Në këtë mënyrë, FAZ e paraqet betejën për mandatin e dytë të presidentes si një përplasje mes diplomacisë së jashtme simbolike dhe realitetit të numrave në Kuvend./lajmi.net/