Faturimi i rrymës për bizneset, Bajrami: Vetëm 300 kompani e plotësojnë kriterin për treg të hapur
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar sërish lidhur me çështjen e tarifave të energjisë elektrike. Bajrami në një postim në Facebook ka shkruar se KESCO është duke përjashtuar ndërmarrjet nga shërbimi universal – furnizim ky me energji elektrike me çmime të rregulluara nga ZRRE në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike,…

Lajme
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar sërish lidhur me çështjen e tarifave të energjisë elektrike.
Bajrami në një postim në Facebook ka shkruar se KESCO është duke përjashtuar ndërmarrjet nga shërbimi universal – furnizim ky me energji elektrike me çmime të rregulluara nga ZRRE në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike, Nenin 37, paragrafi II.
“Neni 37, paragrafi II thotë se për të qenë PËRFITUES i shërbimit universal duhet të përmbushësh njërin nga kriteret: OSE qarkullim nën 10 milionë Euro OSE biznesi t’i ketë më pak se 50 punëtorë, ndërkohë KESCO po i përjashton të gjitha ndërmarrjet nga shërbimi universal nëse nuk i përmbushin të dy këto kritere, gjë të cilën nuk e kërkon Ligji. Nëse Ligji e kërkon OSE njërin ose tjetrin kriter për të përfituar nga shërbimi universal si ka mundësi se për përjashtim nga shërbimi universal përdoret EDHE njëri EDHE tjetri kriter”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së tutje ka shtuar se nuk dihet nëse KESCO është duke e bërë këtë me instruksione të ZRRE-së, nga padijenia ose me qëllim, por një gjë dihet që si rezultat i këtij veprimi KESCO do të përballet me qindra padi pas datës 1 qershor.
“Sipas të dhënave të shoqatave ekonomike në vend ”kriteret sipas Nenit 37, për të dalë në të ashtuquajturin ”treg të hapur” i plotësojnë vetëm 300 kompani, jo 1300 që po i përjashton ZRRE-ja”.Dallimi në mes të ”OSE’ dhe ”EDHE” është dallim i madh në Ligj”, ka shkruar Bajrami.