Fatos Qerimi akuzon ministren Fitore Pacolli për shkarkim politik dhe shkelje të ligjit: Vendimin e pranova përmes emailit

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka emëruar sot Zymer Mrasorin ushtrues detyre të Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore. Pas këtij vendimi ka reaguar Fatos Qerimi, i cili deri më tani ushtronte funksionin e drejtorit të këtij autoriteti, duke e cilësuar procesin si të kundërligjshëm dhe me prapavijë politike, raporton…

Lajme

07/05/2026 13:17

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka emëruar sot Zymer Mrasorin ushtrues detyre të Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore.

Pas këtij vendimi ka reaguar Fatos Qerimi, i cili deri më tani ushtronte funksionin e drejtorit të këtij autoriteti, duke e cilësuar procesin si të kundërligjshëm dhe me prapavijë politike, raporton lajmi.net

Qerimi ka bërë të ditur se një ditë më parë kishte pranuar përmes emailit një vendim për transferimin e tij në një pozitë tjetër, për të cilin thotë se bie ndesh me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Sipas tij, neni 65, paragrafi 4 i këtij ligji përcakton se transferimi i përhershëm i një zyrtari publik nuk mund të realizohet pa pëlqimin paraprak të zyrtarit, gjë që, sipas Qerimajt, nuk ka ndodhur në rastin e tij.

Ai ka reaguar edhe ndaj njoftimit publik të ministres Pacolli për emërimin e ushtruesit të detyrës, duke pretenduar se ndaj tij nuk është zhvilluar asnjë procedurë ligjore apo administrative për përfundimin e mandatit.

“Po ashtu, përmes një postimi publik në Facebook nga Ministrja Fitore Pacolli, jam njoftuar për emërimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, ndonëse ndaj meje nuk është zhvilluar asnjë procedurë ligjore për përfundimin e mandatit apo lirimin nga detyra, sipas legjislacionit në fuqi. Fakti që emërimi i ushtruesit të detyrës është bërë publikisht edhe para përfundimit të çdo procedure ligjore dhe administrative ndaj meje, dëshmon qartë për ndërhyrje politike të kundërligjshme në shërbimin civil dhe në funksionimin e administratës publike”, ka deklaruar Qerimi.

Ai më tej ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të nisë hetime ndaj ministres dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë proces, duke pretenduar se janë cenuar parimet e ligjshmërisë dhe profesionalizmit në administratën publike.

Qerimi ka theksuar se ka mbi 22 vite përvojë në shërbimin civil dhe se gjatë gjithë karrierës ka ushtruar detyrën me profesionalizëm dhe integritet.

Postimi i tij i plotë:

ë nderuar qytetarë,

Dje kam pranuar përmes emailit një vendim për transferimin tim në një pozitë tjetër, vendim i cili është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zyrtarët Publikë, konkretisht me nenin 65, paragrafi 4, i cili përcakton qartë se transferimi i përhershëm i një zyrtari publik nuk mund të bëhet pa pëlqimin paraprak të tij. Një pëlqim i tillë nga ana ime nuk është kërkuar dhe as nuk është dhënë në asnjë moment. Për rrjedhojë, ky vendim është i kundërligjshëm dhe juridikisht i pazbatueshëm.

Po ashtu, përmes një postimi publik në Facebook nga Ministrja Fitore Pacolli, jam njoftuar për emërimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, ndonëse ndaj meje nuk është zhvilluar asnjë procedurë ligjore për përfundimin e mandatit apo lirimin nga detyra, sipas legjislacionit në fuqi.

Fakti që emërimi i ushtruesit të detyrës është bërë publikisht edhe para përfundimit të çdo procedure ligjore dhe administrative ndaj meje, dëshmon qartë për ndërhyrje politike të kundërligjshme në shërbimin civil dhe në funksionimin e administratës publike.

Kam mbi 22 vite karrierë në shërbimin civil të Republikës së Kosovës, që nga viti 2005, duke i shërbyer shtetit me profesionalizëm, integritet dhe pa asnjë njollë në detyrë.

Vij nga fshati heroik i Gllogjanit, nga një familje që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës. Familja ime ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dy heronj të kombit Arben dhe Luan Qerimaj si dhe me invalidët e luftës Naim dhe Mehmet Qerimaj. Për këtë arsye, nuk mund të hesht përballë padrejtësive, presioneve politike dhe shkeljeve të ligjit.

Konsideroj se këto veprime përbëjnë shkelje serioze të parimeve kushtetuese të ligjshmërisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit në administratën shtetërore, si dhe ngrejnë dyshime të bazuara për konsumim të elementeve të veprës penale lidhur me ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

Për këtë arsye, i bëj thirrje publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet ndaj Ministres dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë proces të kundërligjshëm, me qëllim të mbrojtjes së ligjshmërisë, integritetit të shërbimit civil dhe parimeve të shtetit juridik.

Askush nuk është mbi ligjin.

Me respekt./Lajmi.net/