Faton Peci: Nuk premtoj se do bëj mrekulli, por nga sot dera ime është e hapur për secilin pa dallim me apo pa protokoll
Mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut është mbajtur të premten në Qendrën e Kulturës, ku u bë betimi i kryetarit të zgjedhur Faton Peci dhe asamblistëve të rinj. Ngjarja është ndjekur nga qytetarë dhe ish-kryetarë të komunës, ndërsa mungoi ish-kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri. Faton Peci tha…
Lajme
Mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut është mbajtur të premten në Qendrën e Kulturës, ku u bë betimi i kryetarit të zgjedhur Faton Peci dhe asamblistëve të rinj.
Ngjarja është ndjekur nga qytetarë dhe ish-kryetarë të komunës, ndërsa mungoi ish-kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri.
Faton Peci tha se aty ka shkuar i armatosur për t’i dalë zot qytetit të Mitrovicës.
“Sot po betohem, nuk kam fjalë të mëdha por kam një premtim të sinqertë, kam ardhur i armatosur që të ofrojë përkrahjen që t’i dal zot qytetit të Mitrovicës. Jam përjetë mirënjohës për besimin tuaj që më është dhënë përgjegjësia më e madhe që njeriu mund ta marr nga qyteti i tij. Mitrovica ky qytet i historisë, krenarisë, rezistencës, vuajtjes, durimit e mosdorëzimit dhe ku çdo kalldrëm është i larë me gjak këtë vit ka bërë për mua maksimumin e mundshëm prandaj përgjegjësia për mua është tepër e lartë. Nga sot dera ime është e hapur për secilin pa dallim me apo pa protokoll. Do të punoj me ndershmëri, me zemër, me durim e me drejtësi. Për me kthy dinjitetin e qytetit të Mitrovicës. S’ju premtoj mrekulli por ju premtoj punë të ndershme çdo ditë… Na duhet angazhim e përpjekje dhe unë jam i gatshëm me dhënë gjithçka nga vetja ime për të arritur këtë objektiv. Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë por është edhe zemra e Kosovës. Le të fillojmë një kapitull të ri Mitrovicën duke ndjerë secili prej nesh peshën e historisë dhe përgjegjësisë, duke pasur në mendje e zemër gjithë ata që kanë dhënë jetë për shqiptarinë, që nga Isa Boletini e deri te heroi më i ri i Kosovës Afrim Bunjaku”, tha ai.
Gjatë seancës solemne, Kryesuesi i mbledhjes, Naser Muja, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, ndërsa kryetari Peci deklaroi se mandatin e fillon me zotimin për t’i shërbyer qytetarëve me ndershmëri dhe përkushtim.
“Sot në këtë sallë kemi përfaqësues të partive të ndryshme politike me qëndrime dhe ide të ndryshme, pra kjo është pasuria e demokracisë, por përtej dallimeve që kemi edhe përgjegjësitë e përbashkëta ne duhet t’i shërbejmë qytetarëve të Mitrovicës. Dhenja e votës nuk na ka dërguar këtu të debatojmë pa fund por për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar barriera por për t’i hequr ato, jo për t’u ndarë por për t’u bashkuar në mision të përbashkët për zhvillimin e qytetit. Ju ftoj të punojmë me respekt për njëri-tjetrin, me vullnet dhe bashkëpunim me synimet dhe çdo vendim të këtij kuvendi. Mund të kemi mendime të ndryshme por duhet të kemi një qëllim të përbashkët, përmirësimi dhe jeta e qytetarëve”, tha ai.