Faton Bislimi thotë se kandidatura e tij për president qëndron: Nëse Republika më thërret për shërbim, jam gati

Faton Bislimi ka thyer heshtjen pasi emri i tij u propozua që të jetë kandidat për President të Republikës së Kosovës. Bislimi ka falënderuar ambasadorin William Waker, Joe DioGuardi dhe të gjithë ata që e mbështetën propozimin që ai të jetë kandidat për President, transmeton lajmi.net. Përkundër që kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari…

Lajme

02/09/2026 13:08

Faton Bislimi ka thyer heshtjen pasi emri i tij u propozua që të jetë kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Bislimi ka falënderuar ambasadorin William Waker, Joe DioGuardi dhe të gjithë ata që e mbështetën propozimin që ai të jetë kandidat për President, transmeton lajmi.net.

Përkundër që kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u morën veshë që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për President, Bislim ka thënë se propozimi që ai të jetë kandidat ende qëndron.

“Kandidatura ime nuk është kërkesë drejtuar një partie dhe nuk është ndërtuar kundër asnjë partie apo individi. Ajo ka qenë një ofertë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës në një moment kur vendit i duhet unitet, seriozitet institucional dhe besim në të ardhmen. Dhe ajo ofertë qëndron! Nuk tërhiqem nga asnjë përgjegjësi që e kam marrë si amanet të brezave e si mision për të ardhmen e shtetit!”, shkroi Bislimi ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Miq, dashamirë e përkrahës anekënd botës shqiptare,
Kam heshtur këto ditë, sepse në momente të rëndësishme për vendin tim kam besuar gjithmonë se para se të flasësh, duhet së pari të dëgjosh.
Dhe këto ditë kam dëgjuar shumë.
Kam marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga njerëz që dashurinë për Kosovën e kanë dëshmuar me jetë e me vepra; nga miq të dëshmuar të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë ambasadorin William Walker dhe ish-kongresmenin Joe DioGuardi; nga familjet e heronjve Sali Çekaj dhe Agim Ramadani; nga shqiptarët e Luginës së Preshevës; nga miq e kolegë të mi nga Harvard Kennedy School; dhe, mbi të gjitha, nga qytetarë e atdhedashës të shumtë të Kosovës, nga çdo kënd i vendit dhe nga diaspora jonë.
I jam nga zemra mirënjohës çdo vatre shqiptare, për çdo përkrahje, për çdo fjalë të mirë dhe për çdo shtrëngim dore që kam marrë këto ditë në mbështetje të propozimit që emri im të konsiderohet për President të Republikës së Kosovës.
Për secilin prej jush, faleminderit nga zemra!
Një besim i tillë nuk është dekoratë. Është përgjegjësi. E kam marrë si nder, por mbi të gjitha si amanet për të vazhduar t’i shërbej vendit tim me të njëjtën përkushtim me të cilin kam punuar gjatë gjithë jetës sime publike. Ky amanet nuk do të humbet asnjëherë!
Unë nuk e kam parë asnjëherë shërbimin ndaj Kosovës si çështje të një pozite. Për mua ai ka qenë dhe mbetet mision. Pozitat janë të përkohshme. Përgjegjësia ndaj vendit është shumë më e madhe se çdo pozitë dhe shumë më jetëgjatë se çdo moment politik.
Propozimi që m’u bë këto ditë ishte një nga nderimet më të mëdha të jetës sime publike. Fakti që ai erdhi nga njerëz që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, shtetësinë dhe afirmimin ndërkombëtar të Kosovës e bën atë edhe më domethënës për mua. Ku ka nder më të madh në politikë se sa kur një mik i Kosovës si ambasadori Walker dhe një mbrojtës i saj historik në SHBA si Joe DioGuardi të japin besimin; kur familjet e heronjve Sali Çekaj e Agim Ramadani ta japin bekimin; kur kolegët e Harvardit dhe shqiptarët e Luginës bashkë me ata nga Kosova qëndrojnë pranë teje!
Kandidatura ime nuk është kërkesë drejtuar një partie dhe nuk është ndërtuar kundër asnjë partie apo individi. Ajo ka qenë një ofertë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës në një moment kur vendit i duhet unitet, seriozitet institucional dhe besim në të ardhmen.
Dhe ajo ofertë qëndron! Nuk tërhiqem nga asnjë përgjegjësi që e kam marrë si amanet të brezave e si mision për të ardhmen e shtetit!
Nëse elitat politike nuk e konsiderojnë atë, atëherë fjalën do ta ketë populli. Dhe kur të vijë ajo ditë, në cilëndo fushëbetejë demokratike, unë do të jem aty. I qetë. I përgatitur. Pa borxhe ndaj askujt, përveç Kosovës.
Nëse Republika më thërret për shërbim, jam gati.
Kjo përgjigje nuk ka ndryshuar.
Jam rritur në një familje të edukuar me frymën dhe amanetin e Besëlidhjes së Madhe, me bindjen se sfidat na forcojnë dhe se dashuria për vendin dhe për njëri-tjetrin është ndër forcat më të mëdha që kemi.
Jam arsimuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vendin që qëndroi pranë Kosovës në momentet më të vështira të historisë sonë moderne. Atje kam njohur nga afër institucionet dhe traditën e një demokracie që beson se shteti është më i fortë atëherë kur parimet janë mbi individët dhe kur interesi i vendit qëndron mbi interesin e momentit.
Për njëzet e pesë vjet kam trokitur në dyert e institucioneve, universiteteve, kancelarive dhe diplomacisë ndërkombëtare, shpesh pa poste dhe pa tituj, me një qëllim të vetëm: të jap kontributin tim që Kosova të jetë më e fortë, më e sigurt dhe më e respektuar në botë.
Këtë do të vazhdoj ta bëj.
Detyra ime ndaj Kosovës vazhdon. Besimi im në atë që mund të bëhet Kosova vazhdon. Dhe gatishmëria ime për t’i shërbyer Republikës me tërë dijen, përvojën dhe forcën time mbetet e plotë dhe e palëkundur.
Sepse në fund të fundit, pyetja nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm se kush e merr një pozitë. Pyetja më e rëndësishme është: Çfarë është më e mira për Kosovën?
Përgjigjja ime ka qenë e njëjtë për më shumë se dy dekada:
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, popullin tonë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I juaji,
Faton Bislimi./lajmi.net/