Fatmir Sheholli që u arrestua sot për spiunazh, më 1999 deklaronte se UÇK-ja ia vrau babain: E quajtën “tradhtar” dhe e ekzekutuan sepse mbështeste Jugosllavinë
Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë arrestuar Fatmir Shehollin, i cili dyshohet për spiunazh. Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, ai është ndaluar për 48 orë ndërsa shtëpia e tij po bastiset. “Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për…

Lajme
Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë arrestuar Fatmir Shehollin, i cili dyshohet për spiunazh.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, ai është ndaluar për 48 orë ndërsa shtëpia e tij po bastiset.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh. I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Veprimtaria e tij proserbe nuk është diçka e re për të, pasi që edhe në vitin 1999, i njëjti në një intervistë për një medium serb deklaronte se UÇK-ja kishte vrarë babain e tij në vitin 1997.
Në një pjesë të intervistës, kur u pyet se a e krijuan SHBA-të, UÇK-në, ai tha se UÇK kishte marrë mbështetje të madhe nga Amerika dhe Gjermania.
“Sipas informacioneve të shërbimeve tona sekrete, ata e kanë krijuar UÇK-në. Pyetja që shtrohet është: pse e krijuan UÇK-në? Ju vini nga Shtetet e Bashkuara dhe e dini mirë se SHBA-të synojnë të kenë ndikim në të gjitha vendet. Dy vjet më parë, në janar të vitit 1997, UÇK-ja vrau babain tim. E quajtën “tradhtar” dhe e ekzekutuan vetëm sepse ai mbështeste Jugosllavinë dhe qeverinë serbe, e jo regjimin e UÇK-së. Ai dëshironte të jetonte në paqe, së bashku me të gjitha grupet etnike në Kosovë”, kishte deklaruar Sheholli.
Pjesë nga intervista në gjuhën serbe:
Për veprimtarinë e tij proserbe dhe pro Jugosllavisë, kishin reaguar gjatë luftës edhe qytetarët e rajonit të Podujevës.
44 familje ishin distancuar nga ai dhe babai i tij, Maliq Sheholli.
“Ngase distancimi ynë nga Maliq Sheholli dhe i biri i tij Fatmir, i bërë në vitin 1990, botuar në revistën fetare ‘Dituria islame’, e cila është më pak frekuentuese, e shohim të nevojshme ta njoftojmë opinionin shqipfolës, kudo në botë, se familja e gjerë Sheholli (44 kryefamiljarë në pajtim me anëtarët e familjeve), përgjithmonë distancohet nga veprimet e këtyre të dyve: Maliqit e Fatmirit. Këtë e bëjmë, thuhet në këtë shkresë, sepse Maliqi dhe djali i tij Fatmiri janë vënë në shërbim të pushtuesit serb dhe kështu kanë bërë aktin më të lig njerëzor: tradhtinë kombëtare. Pavarësisht nga veprimet e këtyre renegatëve, kudo që janë, lëvizja jonë gjithëpopullore do të realizojë çlirimin kombëtar. E, renegatëve kurrë s’mund t’u hiqet njolla e tradhtisë,” thuhet në fund të kësaj shkrese, të cilën e nënshkruan Sahit, Bajram, Brahim, Selman, Hamit, Ahmet L, Shaban, Rrahman, Ismail, Ahmet M, Bahtir, Sabit, Hilmi, Muharrem, Mustafë, Rrahim Adem, Sherif, Rushit, Islëm, Hakif, Shefqet, Shemsi, Behram, Fetah, Fehmi, Rifat, Shaip, Ramush, Jahir, Avdi, Beqir, Isa, Faik, Sheqir, Ali, Gani, Agim Rr, Fitim, Musa, Nexhip, Ragip, Rasim e Rexhep Sheholli”, thuhej në një tekst të këtyre banorëve drejtuar gazetës “Bujku”.
Për arrestimin e tij sot ka njoftuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka thënë se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili sipas tij përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar Sveçla. /Lajmi.net/