Fatmir Limaj e ‘kap’ fort shtetin, punëson farefisin e vet e të partisë
Pronë private po i konsideron institucionet e shtetit, Nisma Socialdemokrate.
Lajme
Punësimi i një anëtari të familjeve që nuk kanë të punësuar ishte premtim i Nismës Socialdemokrate. Këtë premtim e kishte dhënë kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj. Dikasteret qeveritare që udhëhiqen nga Nisma tash e sa kohë kanë filluar ta jetësojnë këtë plan, por jo duke u dhënë mundësi të barabartë të gjithë qytetarëve.
Djali, dhëndëri, motra e gruas dhe bashkëshortja e shoferit personal -janë vetëm disa nga të afërmit e zëvendëskryeministrit Limaj, të cilët janë punësuar në ministritë të cilat udhëhiqen nga Nisma Socialdemokrate, shkruan lajmi.net.
Keq nuk kanë mbetur as familjarët e anëtarëve të tjerë partisë së Limajt. Shoqëria civile dhe mediet po raportojnë në vazhdimësi për këto punësime.
MTI-ja ‘kapët’ fort
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga Endrit Shala i partisë së Nismës Socialdemokrate, po rehaton në këtë institucion familjarë të bashkëpartiakëve. Lajmi.net ka gjetur se Donjeta Bytyqi është njëra prej punësimeve të reja në MTI. Ajo u zgjodh si më e mira për pozitën “Zyrtar i lartë për ekzaminim” në konkursin që u hapë për këtë pozitë.
Lajmi.net ka mësuar se Bytyçi është mbesa e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala. Burimet e lajmi.net kanë treguar se e njëjta nuk i ka plotësuar kriteret që vetë MTI-ja i ka vendosur në konkurs, respektivisht nuk e ka përmbushur kriterin e përvojës së punës që është kërkuar që kandidati të këtë minimum tri vite përvojë pune profesionale. Se është mbesa e tij, e ka pranuar për lajmi.net vetë deputeti Shala.
Ndërkohë, ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga partia Nisma Socialdemokrate i ka hapur dyert edhe për njerëzit tjerë të afërm të krerëve të kësaj partie. Gazeta JnK ka raportuar se si janë punësuar të afërmit e Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit e Valdete Bajramit.
Veron Selmani, burri i vajzës së Fatmir Limajt, është punësuar në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga NISMA. Kryetar i NISMA Socialdemokrate është Fatmir Limaj. Sipas JnN-së, konsulent për çështje financiare, është pozita për në të cilën Veron Selmani është angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta në mars të vitit 2018 në Agjencinë KISEA. Kjo Agjenci është në kuadër të MTI-së. Në të njëjtën ministri është punësuar Durim Limaj, djali i Fatmir Limajt.
Media në fjalë poashtu ka gjetur se Taulant Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, është punësuar si inspektor i naftës në ministrinë që drejtohet nga partia e themeluar nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Kunata e ish-deputetes Valdete Bajramit do të kujdeset për monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së naftës. Ajo është punësuar në MTI përmes një konkursi, kriteret e të cilit ishin vendosur në përputhje me shkollimin e saj. Shkëndije Bajrami – Azizi, kunata e Bajramit, është pranuar në punë përmes konkursit të dytë për inspektore e tregut për cilësinë e naftës. Ajo është punësuar vetëm pasi MTI-ja ka arritur të ndryshojë kriteret e konkursit, duke i përshtatur me përgatitjen profesionale të Bajrami-Azizit. Konkursi i parë ishe anuluar me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pasi ky Këshill kishte konstatuar se MTI-ja në mënyrë të kundërligjshme e kishte futur Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FShMN) si diplomë e përshtatshme për punësim.
MASHT-i shembull i abuzimit, strehë e militantëve dhe nepotizmit
Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka bërë hulumtimin dhe si rezultat i kësaj ka identifikuar se rekrutimi në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është bërë në baza politike dhe familjare, pothuajse komplet në këto punësime janë personat të cilët janë pranuar dalin të jenë pjesë e strukturave të partisë Nisma Socialdemokrate, parti e cila udhëheq me këtë ministri.
AVONET ka publikuar disa nga personat të cilat lidhen drejtpërdrejt me militant dhe familjar të partisë NISMA Socialdemokrate, siç janë: Shkurte Gashi, ishte kandidate për asamble në Komunën e Prishtinës; Valdete Prebeza, ishte kandidate për asamble në Komunën e Prishtinës; Arianit Krasniqi, kryetar i rinisë të Degës Nisma Socialdemokrate në Malishevë; Rudina Restelica, e aderuar në muajin qershor 2018 në partin Nisma Socialdemokrate; Veton Kastrati ish-asamblist i partisë Nisma dega në Malishevë; Lavdim Rizani anëtar i degës së partisë Nismës në Lipjan; Diana Bytyqi,bashkëshortja e Ardian Gashit zyrtarit të Nismës për Media; Alberina Foniqi Boja, anëtare e forumit të gruas në Suharekë; Në këtë institucion përmes një projekti të MPMS është punësuar mbesa e ministrit Beslina Hoxha dhe Milot Hyseni, djali i motrës së bashkëshortes se ministrit; Ardita Muqolli e cila ka aderu në muajin qershor në Nismë.
“Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS me nr. 04/L-082 i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Neni 222. Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë. Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç që është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.
AVONET, konsideron se përgjegjësi e kësaj praktike është ministri Bytyqi, i cili është udhëheqës i kësaj ministrie dhe përgjegjësia i takon ministrit Bytyqi, po ashtu ai është në dijeni për këtë praktik, ku ky ministër ka të punësuar edhe të afërt të tij.
Praktika e njëjtë si nëpër borde është vazhduar edhe në emërimin e sekretarëve të përgjithshëm nëpër ministri, konkretisht në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë.
Qeveria e Kosovës kishte emëruar sekretar të Ministrisë së Arsimit, Ekrem Kastratin. Kastrati i emëruar sekretar në ministrinë e udhëhequr nga Nisma, mandatin e kaluar ishte drejtor komunal në Malishevë, komunë e udhëhequr po ashtu nga Nisma. Kjo ishte bërë pa pëlqimin e britanikëve dhe pa plotësim kriteresh. Pavarësisht që ambasada britanike si partner në përzgjedhjen e pozitave të larta dhe komisioni vlerësues kishin dhënë rekomandim se asnjëri nga tre kandidatët nuk kishte dhënë rezultat të kënaqshëm, ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte propozuar emrin e Kastratit për këtë pozitë. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me emërimin e sekretarit e përgjithshëm në MTI. Qeveria kishte vendosur ta emërojë Burim Rrecajn sekretar në këtë ministri, ani pse ai nuk i kishte plotësuar kushtet dhe ishte i renditur i katërti në listën e vlerësimit.
Kundër këtij vendimi kishin reaguar edhe një grup i organizatave të shoqërisë civile.
Punësime edhe në ministrinë e Diasporës
Promovimi i Investimeve tek Investimet Strategjike në Ministrinë e Diasporës ka disa muaj që janë në duart e Sadbere Balajt. Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka punësuar Balajn e cila është motra e bashkëshortes së Fatmir Limajt, kryetar i partisë NISMA Social Demokrate.
Në ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjikë është punësuar edhe Mirlind Hyseni. Lajmi.net ka mësuar se Hysen është djali i motrës së bashkëshortes së Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi.
Ushtruese e Detyrës së Sekretares së kësaj ministrie është Shyhrete Gosalci, ish kandidate për deputete të NISMA-s, në vitin 2014.
Për këto punësime lajmi.net la kërkuar përgjigje edhe nga zyra për informim e kësaj ministrie, por nuk ka marr përgjigje.
Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila udhëhiqet nga ministri i Nismës Socialdemokrate, në Departamentin e Zyrës së Auditorit të Brendshëm është punësuar, bashkëshortja e Shpëtim Telakut shofer personal i Fatmir Limajt
Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë hapur dyert për gjashtë nipërit e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit.
Siç ka raportuar Insajder, katër vëllezërit e Krasniqit, kanë të punësuar djemtë e tyre në institucione të ndryshme të vendit. Abdyli vëllai i Jakup Krasniqit ka të punësuar dy djemtë e tij në institucione të vendit, ndërsa vet ai është pjesë e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Vëllai tjetër i Jakupit, Halimi që kishte qenë drejtor në një shkollë në Negrovc, ka të punësuar djalin e tij në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Zv.kryeministri Limaj, në fushatën zgjedhore të qershorit të vitit 2017, kishte dhënë një premtim të madh. Pati thënë se nuk do të ketë familje në këtë që nuk do ta ketë së paku një person të punësuar.
“Janë me mijëra familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe ne duam ta ndërlidhim ndërmarrjen tonë me agjencinë e punësimit dhe t’i lidhim ndërmarrësit tanë me shkollat tona profesionale dhe kjo garanton apo siguron mundësi tjetër për punësim edhe zhvillim ekonomik të vendit. Koha është të ndryshohet gjendja”, kishte thënë Limaj. /Lajmi.net/