Fati i të pagjeturve, gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit shtyhen për shkak të shiut
Pavarësisht se ishte planifikuar për sot të fillonin gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit, ato janë shtyrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë vështirësuar kushtet për punë në terren. Zona ku do të kryhen gërmimet dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë. Gërmimet…

Lajme
Pavarësisht se ishte planifikuar për sot të fillonin gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit, ato janë shtyrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë vështirësuar kushtet për punë në terren.
Zona ku do të kryhen gërmimet dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë. Gërmimet pritet të nisin nesër, ndërsa planifikimet janë që të përfundojnë brenda dy javësh.
Të mërkurën, anëtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur së bashku me mjekë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë përfunduar inspektimet në Kozhle afër Novi Pazarit ku po dyshohet për varrezë masive.
Mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni tha për KosovaPress se kushtet atmosferike, por edhe ato në terren e kanë pamundësuar nisjen e gërmimeve gjatë ditës së sotme.
“Dje veç kemi filluar punimet e para, mirëpo sot është dashur që ekipi i mjekësisë ligjore të jetë atje prej orës 10:00, por në bashkërendim me kompaninë që është duke kryer gërmimet jemi ra dakord që sot të pushojnë punët pasi që atje është një shi i dendur që nga nata dhe ka qenë e pamundur të dilet poshtë në lokacion për shkak se është vend malor dhe deponi e mbeturinave…Nga sot ekipet tona do të jenë të pranishme atje deri në përfundimin e punimeve”, deklaroi Hyseni.
Ai thekson se terreni është i vështirë për shkak se lokacioni ku dyshohet se është varrezë masive është edhe deponi mbeturinash.
Mjeku ligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore thotë se informacionet preliminare tregojnë se bëhet fjalë për varrezë masive, ndonëse nuk ka shifra të sakta.
“Nga praktikat e mëhershme deri tash në lokacionet e Serbisë gjithherë kemi hasur në vend-varreza masive e jo varre individuale, nga informatat preliminare që kemi pretendohet që ekziston varrezë masive dhe shpresojmë që të paktën ata që na mungojnë t’i gjejmë në atë lokacion…Nuk kemi zyrtarisht asnjë shifër se sa mund të jetë numri potencial që mund të gjendet në atë vend-varrezë nëse veç kemi gjetje pozitive”, theksoi ai.
Hyseni për KP thotë se nga vlerësimet e bëra në terren gërmimet në lokacionin e Kozhles do të përfundojnë brenda dy javësh. Ai shtoi se gërmime për gjetjen e të pagjeturve do të vazhdojnë edhe në dy lokacione tjera në Novi Pazar.
“Sipas vlerësimeve në terren pritet dy javë të zgjasin gërmimet deri në nivelin fillestar ku pretendohet të ketë edhe trupa….Përveç lokacionit në Kozhle, e kemi edhe të paktën edhe dy lokacione afër Novi Pazarit siç është edhe Kosnareva pastaj Banja e Novi Pazarit, por kemi edhe të shënjuar edhe Batajnicën dhe Perushacën”, tha Hyseni.
Kujtojmë, trupat e rreth 1600 qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë mungojnë, të cilët janë zhdukur me dhunë nga Serbia. Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.