Fat në Fatkeqësi

Sipas Isa Mustafës, edhe Gjilani edhe LDK janë me fat që e kanë Lutfi Hazirin Kandidat për Kryetar. Ndërsa, Haziri tha se Gjilani është ngulfatur dhe uzurpuar nga jabanxhinjtë.

Lajme

05/10/2013 16:59

LDK konsideron se Gjilani është keq. Dhe, në këtë fatkeqësi të keqqeverisjes, shpëtimin po e sheh tek Lutfi Haziri.

Isa Mustafa nuk e ka fuqinë e Hashim Thaçit për të premtuar para në çdo Komunë të Kosovës dhe këtë e pranoi të shtunën para mijëra gjilanasve në hapje të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kryetari i LDK’së i është bashkuar përsëri Lutfi Hazirit, kandidatit të LDK’së për Kryetar të kësaj Komune, i bindur se ai do të jetë drejtuesi i komunës lindore të Kosovës që nga 4 nëntori.

“Lutfi Haziri ka qenë edhe më herët Kryetar i mirë, Ministër i mirë, Zëvendëskryeministër i mirë. Është fat edhe për ne në LDK që kemi një kandidat të tillë për Kryetar të Gjilanit”.

“Nuk kam ardhur të ju premtoj para, por të ju premtoj se bashkërisht mund ta bëjmë fitoren në Gjilan dhe në Kosovë dhe kur të fitojmë atëherë ne do të jemi ata që do të vendosim”.

“Fitorja më e madhe për Gjilanin është që ne të bëhemi vendimmarrës”

“Unë jam shumë i bindur që Lutfi Haziri do të jetë Kryetar i Komunës, sepse kjo është zgjidhja më e mirë për Gjilanin”.

Ndërsa Lutfi Haziri ka premtuar ulje të vlerës së tatimit, heqje të taksës komunale, shlyerje të borxheve ndaj biznesit gjilanas dhe mjedis shkollor të sigurt e të përshtatshëm për fëmijët.

Sepse, sipas tij, Gjilani aktual sa është i pajetueshëm për të gjallët, aq është i sikletshëm edhe për të vdekurit.

“Në këtë qytet është bërë vështirë edhe me vdekë, sepse nuk a hapësirë për varrosje”.

“Gjilani është i uzurpuar nga jabanxhinjtë, është i ngulfatur dhe i lidhur me nyjë nga mbrapa”.

“Shefat e tyre vijnë nga Prishtina shkarkojnë e emërojnë vetëm përmes ultimatumeve dhe autokracisë. Ky nuk është Gjilani. Gjilani meriton më mirë”.

“Gjilani do t’u kthehet gjilanasve me LDK’në”, ka thënë Haziri.