Fashizëm i maskuar si politikë e re: Lista Studentore kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe kërkon autonomi për komunat e udhëhequra nga serbët
Lista Studentore në Serbi ka publikuar programin e saj politik, në të cilin ka paraqitur qëndrimet për politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit, përfshirë edhe raportin me Republikën e Kosovës. Në programin e publikuar në gazetën serbe “Nova”, kjo listë i referohet Kosovës me emërtimin “Kosova dhe Metohia”, duke shprehur hapur kundërshtimin ndaj…
Lajme
Lista Studentore në Serbi ka publikuar programin e saj politik, në të cilin ka paraqitur qëndrimet për politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit, përfshirë edhe raportin me Republikën e Kosovës.
Në programin e publikuar në gazetën serbe “Nova”, kjo listë i referohet Kosovës me emërtimin “Kosova dhe Metohia”, duke shprehur hapur kundërshtimin ndaj pavarësisë së saj dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.
“Ne do të luftojmë për të ruajtur Kosovën dhe Metohinë si pjesë të Serbisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244. Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Republikë të Kosovës dhe nuk do të lejojmë pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në program.
Lista Studentore gjithashtu ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi nga përfaqësuesit e institucioneve serbe për marrëveshjet e arritura me Kosovën, të cilat i konsideron jokushtetuese.
“Ne do të ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për çdo vepër penale të mundshme që lidhet me përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjeve jokushtetuese të dëmshme për Serbinë”, thuhet më tej në dokument.
Një pjesë e veçantë e programit i kushtohet komunitetit serb në Kosovë. Lista thotë se synon të përmirësojë pozitën e serbëve si në veri, ashtu edhe në jug të Ibrit, përfshirë edhe komunat me shumicë serbe dhe zonat e tjera ku jeton ky komunitet.
“Ne do të bëjmë një përpjekje të veçantë për të përmirësuar pozicionin e serbëve në Kosovë dhe Metohi – si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër”, thuhet në program.
Po ashtu, në dokument parashihet që vendbanimet me popullsi serbe të lidhen administrativisht me njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, të cilat, sipas kësaj liste, duhet të kenë shkallën më të lartë të mundshme të autonomisë nga institucionet e Kosovës.
“Ne do të përpiqemi të sigurojmë që vendbanime të tilla të jenë të lidhura administrativisht dhe të përfshira në njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, si dhe që këto njësi të arrijnë shkallën më të lartë të mundshme të autonomisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë”, thuhet në program.
Lista Studentore ka përmendur edhe komunitetin goran, duke premtuar angazhim për mbijetesën e këtij komuniteti dhe rikthimin e njësive të vetëqeverisjes lokale në zonat ku gorani përbën shumicën.
Në fund, programi trajton edhe çështjen e institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë arsimin, shëndetësinë, shërbimet sociale dhe trashëgiminë fetare e kulturore.
“Ne do t’i ruajmë institucionet tona arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore në Kosovë e Metohi – me theks të veçantë te Universiteti i Prishtinës (i vendosur përkohësisht në Mitrovicën e Kosovës) – dhe do të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore e fetare, si dhe pronën e Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në pjesën për Kosovën.
Programi i Listës Studentore paraqet kështu qëndrimin e saj politik ndaj Kosovës, duke kundërshtuar pavarësinë dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, si dhe duke kërkuar autonomi sa më të gjerë për strukturat dhe komunat serbe./lajmi.net/