Fasadat e vjetërsuara në objektet e Prishtinës rrezikojnë qytetarët, intervenojnë zjarrfikësit

Një incident ka ndodhur sot (26 nëntor) në qendër të Prishtinës, ku fasada e një ndërtese ka rënë, duke shkaktuar shqetësim tek qytetarët. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë ekipet e zjarrfikësve dhe të emergjencës, të cilët kanë siguruar zonën dhe për të parandaluar rreziqe të tjera. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi,…

Lajme

26/11/2025 12:32

Një incident ka ndodhur sot (26 nëntor) në qendër të Prishtinës, ku fasada e një ndërtese ka rënë, duke shkaktuar shqetësim tek qytetarët.

Në vendngjarje kanë dalë menjëherë ekipet e zjarrfikësve dhe të emergjencës, të cilët kanë siguruar zonën dhe për të parandaluar rreziqe të tjera.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, ka thënë për lajmi.net, se kanë pranuar se fasada e vjetërsuar në një objekt në sheshin e Prishtinës është në rënie e sipër dhe kanë intervenuar për të shmangur rrezikun tek qytetarët.

“Kemi pranuar një informatë që disa fasada janë në rënie dhe e rrezikojnë kalimtarët aty. Kemi reaguar si ekip për ta eliminuar rrezikun. Ne kemi evituar rrezikun që mos të shkaktohet ndonjë rrezik ose ndonjë lëndim i ndonjë qytetari ose kalimtari aty për pranë”.

Ndërsa, Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica deklaroi se ky nuk është rasti i parë që intervenojnë në atë zonë dhe të tjera, pasi objektet janë vjetërsuar.

“Ky nuk është rasti i parë, domethënë kemi raste të tilla dhe jo vetëm në shesh, por edhe pjesë tjera e qytetit, ku si pasojë e fasadave të vjetërsuara, intervenojmë dhe largojmë rrezikun”, tha ai.