Fantastike: PSG fton në provë dy talentë të FC Prishtinës
Dy futbollistët e Akademisë së FC Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, janë ftuar zyrtarisht nga Paris Saint-Germain (PSG) për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore dhe vlerësimi në akademinë e klubit francez. Lajmin e ka bërë të ditur FC Prishtina, duke njoftuar se kampi do të mbahet nga 27 korriku deri më 9…
Sport
Dy futbollistët e Akademisë së FC Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, janë ftuar zyrtarisht nga Paris Saint-Germain (PSG) për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore dhe vlerësimi në akademinë e klubit francez.
Lajmin e ka bërë të ditur FC Prishtina, duke njoftuar se kampi do të mbahet nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026 në kampusin e PSG-së në Poissy, Francë, transmeton lajmi.net.
Sipas klubit kryeqytetas, ftesa përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për cilësinë, potencialin dhe punën e dy futbollistëve, të cilët do të kenë mundësinë të stërviten dhe të dëshmojnë aftësitë e tyre në një prej akademive më prestigjioze të futbollit evropian.
FC Prishtina thekson se ky zhvillim është rezultat i punës së vazhdueshme në riorganizimin e akademisë së klubit, me fokus në identifikimin, zhvillimin dhe promovimin e talenteve, si dhe në krijimin e një baze të fortë për ekipin e parë.
Klubi vlerëson gjithashtu se ftesa është fryt i bashkëpunimit profesional të ndërtuar me klube të njohura evropiane, ndërsa partneriteti me Paris Saint-Germain dëshmon besimin dhe respektin e ndërsjellë, duke krijuar mundësi konkrete për promovimin e futbollistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Në fund, FC Prishtina u ka uruar Lorik Mehmetit dhe Rin Ahmetit suksese gjatë kësaj periudhe stërvitore, duke shprehur bindjen se ata do ta përfaqësojnë me dinjitet klubin dhe futbollin e Kosovës.