Familjeve të policëve të rënë në detyrë u ekzekutohet vetëm pagesa e dhjetorit, jo e janarit

Familjet e 24 zyrtarëve policorë të rënë në detyrë mbetën pa ndihmën e Qeverisë së Kosovës, pasi pagesat mujore që u bëhen nuk u ekzekutuan në dhjetor. Kësisoj këtyre familjeve nuk u dolën pagesat as të muajit dhjetor, e as të janarit. Lajmi.net raportoi disa herë radhazi për këtë çështje, derisa nga Ministria e Financave…

Lajme

16/01/2026 09:46

Familjet e 24 zyrtarëve policorë të rënë në detyrë mbetën pa ndihmën e Qeverisë së Kosovës, pasi pagesat mujore që u bëhen nuk u ekzekutuan në dhjetor.

Kësisoj këtyre familjeve nuk u dolën pagesat as të muajit dhjetor, e as të janarit.

Lajmi.net raportoi disa herë radhazi për këtë çështje, derisa nga Ministria e Financave deklaronin që të pyesnim ministrinë e Brendshme e kjo e fundit deklaronte që të merrnim përgjigje nga Policia e Kosovës derisa këta të fundit nuk flisnin fare mbi këtë çështje.

E nga familjarë të zyrtarëve policorë kanë njoftuar për lajmi.net se sot u është ekzekutuar njëra pagesë, e që i bie të jetë ajo e dhjetorit.

Kësisoj nga Qeveria e Kosovës, më saktësisht nga Thesari nuk janë transferuar edhe pagesat e muajit janar.

Një situatë e ngjashme me pagesat për këto familje ishe krijuar edhe në muajin gusht të vitit të kaluar.

E nga Sindikata e Policisë së Kosovës ditë më parë u shprehën të shqetësuar se si u lanë pa pagesa këto familje.

Ngjashëm deklaroi edhe ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj duke theksuar se një situatë e krijuar kësisoj po demotivon edhe zyrtarët policorë të cilët janë aktiv në Kosovë./Lajmi.net/