Familjarët e Dëshmorëve të UÇK-së: Lini rehat “Grupin e Drenicës”

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka reaguar ndaj vendimit të EULEX-it për transferimin e të burgosurve të Grupit të Drenicës në burgun e veriut të Mitrovicës, duke e cilësuar si provokim ndaj popullit të Kosovës.

Lajme

20/05/2014 17:55

Përmes një reagimi të tyre ata shprehin edhe mosbesimin tyre në drejtësinë ndërkombëtare, duke bërë thirrje që të lihen rehat “Grupi i Drenicës”.

“Po bëhet një vit që luftëtarët e lirisë, siç i kanë quajtur ‘Grupin e Drenicës’ (se në Kosovën e drejtësisë ndërkombëtare nuk mbeti Zonë e Luftës për liri që nuk kishte së paku një grup të akuzuarish), i zhvendosin herë në një burg, herë në një tjetër. Më në fund ju gjeten një vend të sigurt”.

“Drejtësia ndërkombëtare mori vendim që këta t’i dërgojë në një burg në Mitrovicën e Veriut, siç na kanë mësuar t’i themi Mitrovicës që më shumë se 15 vjet”.

“Askush nuk jep një arsye pse veprohet kështu. Strukturat e shtetit të Kosovës heshtin. Heshtin, se nuk bën të ndërhyjë politika në drejtësi”.

“Një blof demagogjik i drejtësisë, edhe asaj ndërkombëtare. Të gjithë heshtin. Sa duket që të mos prishen me ndërkombëtarët, që të mos i hidhërojnë ata që kanë imunitet edhe kur vrasin të rinjtë e Kosovës”.

“Prandaj, që të jenë më të sigurt, luftëtarët e lirisë, ata të ‘Grupit të Drenicës’ i dërgojnë në një burg në Veri të Mitrovicës. Sigurisht se atje të gjitha strukturat e sigurisë janë serbe. Kështu që siguria e të burgosurve është më e madhe se kudo në burgjet e tjera në Kosovë. Ngase kur të duan, i thyejnë burgjet dhe ose i vrasin, ose i lënë të lirë që të ikin, ose i dërgojnë në Serbi. Ndoshta Kosova nuk ka mjaft burgje për të vendosur luftëtarët e lirisë që po burgosen që 15 vjet”.

 “Me rëndësi është të akuzohen luftëtarët e lirisë, të mbahen me vite nëpër burgje dhe të zhvendosen orë e çast nga një burg në tjetrin, derisa të gjendet vend në ndonjë burg në veri të Mitrovicës, se atje është siguria më e madhe, sepse luftëtarët e lirisë, i mbrojnë dhe i sigurojnë kriminelët serbë, që dihen me emër e mbiemër që më shumë se 15 vjet”.

“Ne po i themi kësaj drejtësie ndërkombëtare, a cilado qoftë ajo, se një ditë njerëzit mund të lodhen duke besuar se një dit njerëzit mund ta thonë edhe publikisht mosbesimin e tyre, se një ditë njerëzit mund të mbushin rrugët e Kosovës për të kërkuar lirimin e këtyre të burgosurve, sepse ata janë luftëtarë të lirisë. Pastaj, nuk mund ta dimë se kush e merr përgjegjësinë për ato që mund të ndodhin. E merr shteti i Kosovës me mekanizmat e tij, e merr drejtësia ndërkombëtare, po ashtu me mekanizmat e saj, apo e marrin qytetarët e Kosovës, për të cilët nuk e dimë a do të ketë vende nëpër burgjet e Kosovës”.

“Por, kur ndiqet vetëm njëra palë për krimet e një luftë që për ne është çlirimtare, atëherë është vështirë t’i besohet kësaj drejtësie, qoftë kjo edhe ndërkombëtare”!