Familja Thaçi: Nano dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik

Familja e Hashim Thaçit ka ngushëlluar me anë të një mesazhi familjen Nano, pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano ditën e djeshme. “Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik”, lexohet në mesazhin e familjes Thaçi, shkruan…

Lajme

01/11/2025 19:16

Familja e Hashim Thaçit ka ngushëlluar me anë të një mesazhi familjen Nano, pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano ditën e djeshme.

“Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik”, lexohet në mesazhin e familjes Thaçi, shkruan A2.

Gjithashtu, familja Thaçi shton se “përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare”.

Mesazhi i plotë:

E nderuar Familje Nano,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano.

Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.

Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.

Kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.

Me respekt të thellë,

Familja Thaçi