Familja e kosovarit të arrestuar në Serbi kërkon ndihmën e institucioneve: Nuk po marrim përgjigje
Arben Selmani, djali i Osman Selmanit i arrestuar së fundmi në Serbi, ka deklaruar se familja po përballet me mungesë të mbështetjes institucionale. Ai tha se, pavarësisht se e ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk ka marrë përgjigje apo ndihmë konkrete. Selmani njëherësh ka kërkuar angazhim më të madh nga institucionet e Kosovës…
Lajme
Arben Selmani, djali i Osman Selmanit i arrestuar së fundmi në Serbi, ka deklaruar se familja po përballet me mungesë të mbështetjes institucionale.
Ai tha se, pavarësisht se e ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk ka marrë përgjigje apo ndihmë konkrete. Selmani njëherësh ka kërkuar angazhim më të madh nga institucionet e Kosovës për sigurimin e dokumenteve që, sipas tij, dëshmojnë pafajesinë e babait të tij.
“Për fat të keq unë që vetë jam deklaruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme te një zyrtare të enjten, nga ai moment më kurrkush nuk më ka kontaktuar, askush nuk më ka thirrur. Po tentoj të lidhem me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes që të më ndihmojnë te NATO-ja dhe OSBE-ja për t’i siguruar këto dokumente, pasi janë në arkivat e tyre”, ka deklaruar ai.
Sipas Selmanit, e vetmja mbështetje konkrete deri më tani ka ardhur nga ambasadori i Kosovës në Beograd, të cilin e ka vlerësuar për bashkëpunim.
“Përveç ambasadorit që ka qenë shumë korrekt dhe bashkëpunues, ambasadorit Jetishi në Beograd, ai është i vetmi që na ka ndihmuar pak me këshilla. Nga institucionet tjera deri tani jo”, u shpreh ai.
Ai i ka bërë apel të drejtpërdrejtë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë që të ndërmarrin hapa për sigurimin e dokumenteve që, sipas tij, vërtetojnë se Osman Selmani në periudhën e luftës nuk ndodhej në Kosovë.
Duke folur për gjendjen e babait të tij në paraburgim, Selmani tha se sipas avokatit, gjendja e tij shëndetësore është e mirë, por ai mbetet i shqetësuar për shkak të moshës.
“Sipas avokatit gjendja e tij është e mirë, por është 74 vjeç dhe është pak i shqetësuar. Në të kaluarën nuk është marrë me këto çështje, ka qenë profesor. Është i shqetësuar, por duhet të përballet dhe të jetë i fortë për ta tejkaluar këtë situatë”, shtoi ai.