Falja e borxheve, ujësjellësi dëmtohet me më shumë se 22 milionë euro

Qeveria ka miratuar ligjin për faljen e borxheve, në të cilan përfshihen të gjitha borxhet që qytetarët e Kosovës kanë për ujë, rrymë, ngrohje, pagesa për mbeturina si dhe obligimet e bizneseve dhe qytetarëve ndaj Administratës Tatimore, Doganave dhe tatimit në pronë.

Lajme

15/03/2015 16:40

Borxhet do të falen prej vitit 2009, por që falja e tyre nuk kalon pa dëme për kompanitë përkatëse, ndaj të cilave qytetarët kanë detyrime.

Vetëm Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, deri në këtë vit, konsumatorët i kanë borxh 33 milion e 140 mijë euro.

Por, nga ky vendim i Qeverisë, kjo kompani llogaritet të ketë dëme të konsiderueshme, vlera e së cilës kalon shumën prej 22 milion eurove.

Drejtori ekzekutiv i këtij Ujësjellësi, Gjelosh Vataj, thotë se këtu llogaritet edhe një kredi në vlerë prej 20 milion eurove të cilën e kanë marrë për ndërtimin e një fabrike të re, duke thënë, se ata kanë menduar që kthimi i kësaj kredie të lidhet direkt me borxhet e vjetra.

“Në vendimin e Qeverisë do të dhe do të sillemi ashtu siç janë instruksionet dhe vendimet e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, por, kjo do të ketë një impakt, për shkak se ne si ujësjellës i Prishtinës kemi hyrë 20 milion euro kredi për fabrikën e re dhe është menduar që njëri prej burimeve të lidhet direkt me borxhet e vjetra. Ka impakt, sepse, ne si ujësjellës i Prishtinës i kemi rreth 11 raste në gjykatë të cilat janë prej vitit 2005 e prapa që i kemi çuar njerëzit në gjykatë, do të shohim se si do të veprohet dhe si do të sillemi ndaj këtyre konsumatorëve. Përveç kësaj, ne vetëm taksë për gjyqësorin kemi quar 20 mijë euro për t’i paraqitur këta njerëz në gjykatë, atë e kemi menjëherë të humbur po shihet, pastaj, po shpresojmë që Qeveria me të vërtet të merr një vendim dhe t’i fshij borxhet tek këta njerëz, por, me një kujdes të shtuar në mënyrë që të mos krijojmë konsumator të këqij edhe prej atyre të cilët janë të rregullt”, tha Vataj, për KosovaPress.

Po ashtu, sipas tij, ata kanë një marrëveshje me konsumatorët për riprogramim të borxheve që arrin vlerën prej 2 milionë euro dhe me këtë vendim ata do t’i humbin edhe këto para.

Por, kjo kompani përveç se do të ketë dëme në para, vetëm ka filluar të ketë dëme edhe në inkasim.

Sipas Vatajt, nga deklarimi i Qeverisë se do të falen borxhet është krijuar një amulli e madhe dhe kjo ka bërë që të ketë ndikim direkt të rënies së inkasimit. Kjo për shkak se, sipas tij, konsumatorët të cilët kanë borxhe të mëdha nuk po i lejojnë shkyçjet, ndërsa ata të cilët kanë qenë konsumator të rregullt po hezitojnë ta paguajnë borxhin e tanishëm.

“Borxhi nëse do të realizohet ashtu siç ka qenë nëpër media sepse nuk kemi asnjë informacion tjetër përveç atyre të medieve për shlyerjen e borxhit. Nëse shkon në mënyrë gjeneral, impakti do të jetë 33 milion 140 mijë euro borxh që kanë konsumatorët e ujësjellësit të Prishtinës. Nëse shkon kështu në mënyrë gjenerale patjetër që do të ketë impakt, ka pasur dhe ka impakt direkt në inkasim, për shkak se direkt ka rënie të inkasimit. Kjo për shkak se njerëzit kanë filluar menjëherë të thonë se duhet të na falni këtë borxh, por, edhe ata që kanë qenë të rregullt po hezitojnë me i paguar për shkak se është një hamulli. Nuk është sqaruar saktë çka e si, por, shpresojmë që shumë shpejt do të del Qeveria me një propozim se si do të fshihen ato borxhe dhe si duhet të veprojmë ne si kompani”, tha Vataj.

Ai thotë se ata ende nuk kanë ndonjë vendim të qartë nga ana e Qeverisë dhe, sipas tij, përderisa nuk do të ketë një vendim të tillë ata nuk do të ndalen së kërkuari borxhet e tyre nga konsumatorët.

E sa i përket ndërtimit të fabrikës së re të ujit “Shkabaj”, sipas Vataj, ndërtimi është duke shkuar ashtu siç e kanë planifikuar dhe, sipas tij, ajo pritet që të përfundoj në verën e vitit të ardhshëm. Pasi të përfundoj kjo fabrikë, konsumatorët do të furnizohen me ujë 24 orë dhe, sipas Vataj, është menduar që të lidhen me furnizim të ujitë të pijshëm edhe Fushë Kosova dhe Obiliqi.

“Pasi që të lëshohet fabrika e ujit “Shkabaj” është menduar që të furnizohet edhe Fushë Kosova edhe Obiliqi edhe Prishtina të cilat do të kenë impakt direkt nga kjo fabrikë. Ndërsa impakt indirekt do të kenë Graçanica edhe Podujeva. Sepse nga fabrika Albanik, Podujeva do të merr më shumë ujë ndërsa për Prishtinën do të marrim më pak ujë sepse e kemi një pjesë prej fabrikës së ujit Shkabaj dhe njësoj edhe Graçanica (Pjesa prej veterrnikut deri tek QMI-ja) do të merr ujë më shumë nga Badovci dhe për Prishtinën nga kjo pjesë do të marrim më pak ujë në mënyrë që ta kompensojmë këtë pjesën e re të fabrikës Shkabaj. Është në rrugë të mbarë procesi ka filluar me datën 21 nëntor dhe shumë shpejt do t’i shohim edhe punimet në teren. Besoj që viti 2016 do të jetë viti i përmbylljes së këtij projekti edhe normal të kemi ujë 24 orë për qytetarët”, tha ai.

E sa i përket nivelit të liqeneve të Batllavës dhe Badovcit, ai thotë se është shumë i mirë në krahasim me vitet e fundit. Ai premton që do të bëjnë çmos që konsumatorët të kenë ujë sa më gjatë që është e mundur.

“Niveli i liqeneve është shumë i mirë krahasuar me vitin e kaluar dhe disa vite të tjera. Batllava është me kuotën maksimale, ndërsa, Badovci është edhe 2 metra pa u mbushur plot, të cilën, me përkthyer me nivel a jemi mirë apo keq i bie se jemi shumë mirë, por, diçka duhet me e ditë sepse unë shumë shpesh po e lexoj nëpër media që Liqenet po janë plotë e ne s’po kemi ujë. Nuk është problemi që ne s’kemi ujë. Problemi është që ne nuk kemi mundësi të prodhimit të ujit më shumë se sa që jemi duke prodhuar tani. Jemi duke prodhuar me kapacitet maksimale, duke i mbi ngarkuar pajisjet tona, në mënyrë që t’i furnizojmë sa më mirë konsumatorët tanë. Prandaj, kërkojmë mirëkuptim dhe ju garantojmë që nuk do të mbeteni pa ujë. Kemi qenë në situata edhe më të vështira në vitin e kaluar që kanë qenë thatësira shumë të mëdha dhe ju kemi garantuar se nuk do të mbeteni pa ujë, do të mundohemi që koha me ujë të jetë sa më e gjatë”, shtoi Vataj.

Sa i përket kualitetit të ujit, Vataj thotë se kanë pasur pak probleme gjatë të reshurave të shumta, por që pas ndalimit të tyre cilësia e ujit është përmirësuar.