FAK s’mund të ketë dy shefa
Florian Qehaja vlerëson se me ri-definimin e kompetencave të Kryeministrit, ku atij do t’i jepej e drejta të emëronte dhe shkarkonte komandantin e FAK-ut, do të sillte përzierje kompetencash. Sipas tij, për këtë çështje mund të jep mendim Kushtetuesja.
Lajme
Kërkesa e kryeministrit Hashim Thaçi për ndërrimin e disa amendamenteve në Kushtetutë për Ligjin e FAK-ut, ku do t’i jepej atij fuqia për ndikim në emërimin dhe shkarkimin e komandantit të kësaj force, për Florian Qehajën nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, është çështje me të cilën mund të merret Gjykata Kushtetuese.
Ditë më parë, Tribuna ka njoftuar se kryeministri po kujdeset që rolin dhe fuqinë e tij ta shtojë edhe në institucionin që nuk është zyrtarizuar ende, Forca e Armatosur e Kosovës. Amendamentet që duhet ndërruar në Kushtetutë tashmë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa nga ky proces pritet të preken gjithsej 13 nene në dokumentin më të lartë të vendit.
Ajo që bie në sy është paragrafi 5 i nenit 126, kur flet për emërimin apo shkarkimin e komandantit të forcës. Në këtë pikë presidenti si komandat suprem i FAK-ut, nuk do të mund të emëroj apo shkarko j Shefin e Mbrojtjes pa marrë edhe një vlerësim apo rekomandim nga kryeministri.
Në një prononcim për lajmi.net Qehaja ka thënë se ky ri-definim i rolit të kryeministrit do të shkaktonte disa probleme dhe përziere të kompetencave. “Mendoj që Gjykata Kushtetuese mund ta ketë fjalën në këtë drejtim”.
“Çështja e ri-definimit të rolit të Kryeministrit në formën se si e kanë konceptuar del jashtë kornizave dhe gjetjeve të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS). Janë disa elemente që janë problematike si rrjedhojë e dhënies së kompetencave të tilla të kryeministrit”.
Qehaja ka thënë se sektori i sigurisë duhet të funksionojë mbi bazën e parimit “balancë dhe kontroll” dhe pikërisht me këtë ri-definim të kompetencave, institucioni i Presidentit dhe i Kryeministrit do të përzienin detyrat e tyre.
“Dhënia e kompetencave të tilla do të rezultonte në kornizës aktuale ligjore për arsyeje se sektori i sigurisë duhet të funksionojë mbi bazën e parimit të ‘balancës dhe kontrollit’ në të cilën duhet te reflektojnë mënyrat e përbashkëta të emërimit, shkarkimit dhe llogaridhënies së drejtuesit të institucionit të sigurisë”.
“Si rrjedhojë, ne do të kemi rastin ku p.sh institucionet tjera të sigurisë siç janë Drejtori i Policisë dhe AKI-së do të emërohen si rezultat i konsultimit President-Kryeministri ndërsa për FAK-un jo”.
“Sektori bashkëkohor i sigurisë duhet ta shohë sektorin e sigurisë si tërësi ku, si rrjedhojë, forcat e armatosura nuk mund të mbizotërojnë në aspektin normative në raport me policinë për arsyeje se në të kaluarën, kjo ka rezultuar si mundësi në disa shtete për keqpërdorimin e ushtrisë”.
Qehaja mendon se dhënia e këtyre kompetenca Kryeministrit është në shpërpushje me parimet e kontrollit civil dhe demokratik mbi forcat e armatosura. Ai shtron pyetjen se si mundet që një forcë të komandohet nga presidenti, por në fakt autoriteti i vetëm për emërim dhe shkarkim është Kryeministri.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, mendon se ky ri-definim i kompetencave të Kryeministrit në një sistem parlamentar siç është Kosova, do të kishte implikime në politikë, pasi që do ishte rasti i parë në rajon që një rol kaq i theksuar i jepet të parit të ekzekutivit.
“Implikimet do të jenë të mëdha në nivelin politik për arsyeje se për herë të parë do të kishim një sistem parlamentar të tillë ku roli i Kryeministrit do të ishte shumë i theksuar. Së paku në raport me shtetet e rajonit. Po ashtu, kjo është në shpërpushje me reformën e nisur kushtetuese në të cilën parashihte një rol më të theksuar të presidentit në shumë sfera, përfshirë edhe në komandimin e FAK dhe udhëheqjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.
Model të tillë, ku forcat e sigurisë i përgjigjen Kryeministrit ka Mbretëria e Bashkuar, por sipas Qehajës, Kosova me Mbretërinë e Bashkuar nuk mund të krahasohen, pasi që kjo e fundit nuk ka post të Presidentit.