FAK, element integrues në NATO

Kryeministri Thaçi thotë se është ndier mirë kur ka dëgjuar se Hoyt Yee, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se SHBA'të e mbështesin inkuadrimin e Kosovës në Programin Partneritet për Paqe dhe anëtarësimin e saj eventual në NATO.

Lajme

05/03/2014 17:22

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë element integrues i Kosovës në NATO.

Një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se është ndier mirë kur ka dëgjuar se Hoyt Yee, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se SHBA’të e mbështesin inkuadrimin e Kosovës në Programin Partneritet për Paqe dhe anëtarësimin e saj eventual në NATO.

“Derisa vëmendja e kosovarëve ishte në lojën historike ne stadiumin “Adem Jashari”, ku Kosova fitoi pavarësisht rezultatit, një lajm i mirëpritur erdhi nga Washington DC”.

“Sot, gjatë një dëgjimi në Komisionin për Siguri në Senatin amerikan, diplomati i lartë nga State Departamenti Hoyt Yee deklaroi se “SHBA përkrahin fuqimisht Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin eventual të Kosovës në NATO”. Yee poashtu deklaroi se SHBA do të punon drejt realizimit të këtij qëllimi edhe me aleatët që nuk e kanë njohur Kosovën”.

“Ky është sinjali i parë i qartë nga miku më i madh i Kosovës se Kosova me ushtrinë e porsaformuar – Forcat e Armatosura të Kosovës – do të jetë element integrues i Kosovës në NATO”, ka shkruar Kryeministri Hashim Thaçi.