Eurozona miraton ndihmën financiare për Greqinë

Ministrat e Financave të Eurozonës njëzëri miratuan planin e ri të ndihmës financiare për Greqinë, një paketë kjo e domosdoshme për vendin në krizë, për të paguar këstin e radhës së borxhit që shteti helen i detyrohet huadhënësve ndërkombëtarë.

Bota

14/08/2015 23:20

Menjëherë pas miratimit, presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker tha se votimi dërgoi një mesazh të qartë: Greqia do të vijojë të jetë pjesë e Zonës Euro.

Marrëveshja e re përmban rritje të taksave dhe reduktime të mëtejshme të shpenzimeve, për t’i mundësuar shtetit helen paketën e 3 të ndihmës në 5 vite.

Pas bisedimeve që zgjatën për 6 orë mes kryefinancierëve të Eurogrupit, tashmë Greqisë do t’i disbursohet huaja prej 86 miliard eurove, përgjatë 3 viteve të ardhshme.

Marrëveshja vjen në një situatë të tensionuar politike për vetë kryeministrin Aleksis Tsipras, i cili u përball hapur me një rebelim brenda partisë së tij Syriza.

Pavarësisht se më shumë se 40 deputetë të partisë së tij votuan kundër, parlamenti grek miratoi kushtet bazë të masave shtrënguese si parakusht për mundësimin e huasë.

Ndërsa shpalli miratimin e huas, shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem theksoi se e gjithë puna intensive e javëve të fundit më së fundmi u shpërblye.

Pjesa e parë e paketës së ndihmës do të përdoret për të paguar borxhet, ndërsa pjesa e dytë do të duhet të ndahet përgjysmë, 50% do të përdoret kundrejt borxhit dhe pjesa tjetër mund të investohet nga Greqia.

Deri më 20 gusht, Qeveria në Athinë do të duhet ti shlyejë kreditorit të saj më të madh, Bankës Qendrore Evropiane borxhin prej 3.2 miliard eurove. Nëse Greqia dështon, BQE do ti japë fund ndihmës për shtetin helen./K.P.