Eurozona do të stimulohet me nga 50 miliardë euro çdo muaj

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka marrë një hap dramatik stimulues për ekonominë e trazuar të eurozonës, duke zbuluar një program masiv të blerjes së obligacioneve me vlerën e të paktën 1 trilion eurove.

Lajme

22/01/2015 16:52

Presidenti i BQE-së, Mario Draghi tha se programi i këtij institucioni financiar do të mbulojë garancitë e sektorit publik  e privat, përfshi për herë të parë edhe bonot e lëshuara prej qeverive të shteteve të eurozonës.

Blerjet e tyre do të nisin në muajin mars, me një normë mesatare mujore prej 60 miliardë eurosh dhe priten të vazhdojnë deri në fund të shtatorit të vitit të ardhshëm, ndërkohë që lehtësimet sasiore (me hedhjen në qarkullim të parave të reja) mund të zgjasin përtej këtij afati.

“Ato do të kryhen në çdo rast, deri sa ne të shohim një përmirësim të qëndrueshëm drejt inflacionit, gjë që është edhe në përputhje me objektivin tonë të ruajtjes së normave të inflacionit nën 2%, por shumë pranë këtij pragu, sa i përket objektivave afatmesme”, u shpreh Draghi.

BQE ndërmori këtë hap për shkak se masat e vjetra stimuluese, përfshi edhe uljen rekord të normave të interesit dhe blerjen e aseteve të tjera, dështuan të forconin inflacionin.

Çmimet anembanë eurozonës ranë gjatë dhjetorit, duke u nxitur edhe nga ulja e mprehtë e kostove energjetike. Evropa po vuan gjithashtu edhe nga aktiviteti ekonomik në depresion, ndërsa papunësia mbetet pranë niveleve më të larta rekord.

Draghi anashkaloi kundërshtimin e Gjermanisë për blerjen e obligacioneve sapo Evropa ra në deflacion, gjë që kërcënon edhe më tej në rënien e një spiraleje deflacioniste të ngjashme me atë që preku Japoninë për afro dy dekada.

Blerja e flet-obligacioneve është arma e fundit e rëndësishme e mbetur në duart e BQE-së dhe shumica e ekspertëve thonë se përdorimi i saj është tejet i vonuar. Por, ata paralajmërojnë gjithashtu se hedhja në qarkullim e parave të reja, si masë e vetme, nuk do të ishte e mjaftueshme për të shpëtuar Evropën. Ndaj dhe më e mira që mund të bëjë BQE është t’u ofrojë kohën e nevojshme qeverive për të ndërmarrë reformat tejet të vonuara. (Top-Channel)